AGIM BAÇI
Gruaja është ajo që nxjerr burrin nga vetja… Gruaja është ajo që hap krahët dhe e rimerr burrin pranë vetes.
Gruaja… Pak rëndësi nëse e ka emrin Xhemile, Hatixhe apo Eva. Gruaja dhe qyteti janë plot rrugë brenda vetes, por edhe plot me shtigje për të dalë nga aty edhe kur shemben të gjitha daljet e dukshme. Sepse gruaja dhe qyteti kanë thellësitë e veta, që i dinë veç ato dhe njerëzit që kanë menduar papushim për ta, – të vërteta, të cilat nuk i shemb dot e reja që kërkon të ndërtohet mbi të shkuarën e tyre. “Mëhalla” e Kim Mehmetit na sjell para syve Shkupin e tij si një simfoni me fjalë, ashtu si gratë dhe qyteti kthehen në muzikantin dhe muzikën, duke pasur partitur atë që mbetet në telajon e kohës. Kim Mehmeti ngre ekranin e fjalëve të historisë, duke kërkuar që përmes ngjyrash të shquajmë edhe të vërtetat, edhe atë iluzion që na kanë ngritur të tjerët për të shkuarën tonë. “Dhe ndoshta pamundësia që ta përshkruajmë përjetimin e lindjes dhe vdekjes, na nxit të rrëfejmë për atë që kemi përjetuar në të shkuarën dhe për atë që do donim të na ndodhte në të ardhmen. Siç më çon mua që, gjithnjë e më shpesh, ta pyes veten pse ndieja nevojë të rrëfej për vetveten dhe të parët e mi. E përgjigjen e kësaj pyetjeje e dinë të gjithë ata që e kanë kuptuar se të vërtetat dhe shpjegimet nuk fshihen në atë që është thënë, por në heshtjen se shpeshherë, rrëfimet për ne dhe të tjerët nuk kanë për qëllim parësor të qartësojnë atë që duam të shpalosim, por ta mbulojmë atë që e heshtim dhe që duam ta fshehim para botës”. (Kim Mehmeti, “Mëhalla e grave”, Agora 2020, f. 85).
Rrëfimi i Kim Mehmetit nis nga një lagje, ku nuk ka pushtues që mund t’i ndalë apo t’i zhdukë. Një rrëfim që buron nga ajo fuqi e pandalshme e njerëzores, që krijohet si mitër e kohës dhe nxjerr prej andej fuqinë që dashuria për të shkuarën dhe të vërtetën të vijojë edhe kur mbi të ndërtohen legjenda të reja, apo edhe kur tëhidhen gurë me emra të tjerë. Rrëfimi na fton të shikojmë se si është rrëzuar kushdo që ka kërkuar të injorojë forcën e madhe të krijimit, të jetës dhe ngjarjeve, aty mes të dukshmes dhe së padukshmes. Dhe as pushtuesit e huaj e as pushtuesit ideologjikë nuk arrijnë dot ta shkulin atë që ndërton koha e brendshme, sepse ajo, sado të shkatërrohet së jashtmi, arrin ta përcjellë ashtu siç përcjell qyteti vetveten, përmes rrugëve të padukshme. Apo, ashtu siç dinë të ruajnë gratë në fshehtësinë e mitrës së tyre historitë e rënkimit dhe harresës.
Kim Mehmeti na thërret në një udhëtim ku mund të dëgjojmë zëra pafund, që na tregojnë se vetmia nuk është kur qëndron diku i vetëm, por kur të mos dëgjojnë klithmat brenda teje, të mos dëgjojnë thirrjet e dhimbjes për atë që kërkojnë të na e mohojnë të tjerët, për atë që kërkojnë të na e shtrembërojnë, të na e krijojnë ndryshe nga ajo që ka qenë. Gratë e “mëhallës së kurvave”, siç e kanë thirrur mot pas moti lagjen ku Mehmeti ka marrë baltën e rrëfimit, janë në fakt ajo historia e dhimbjes dhe e jetës, pavarësisht se kush e ka pushtuar apo drejtuar qytetin. Është një “mëhallë”, së cilës Mehmeti kërkon t’i japë të gjithë peshën e të vërtetave që kanë bartur, sepse ato gra kanë çfarë rrëfejnë, sepse janë historia ku njeriu nuk fsheh dot as lotët e gëzimit e as të dhimbjes.
Kur mbaron rrëfimi i romanit, ndien se e ke të vështirë t’i humbasësh historitë e atyre grave, rrëfyer me aromë lëkure dhe dëshirash. Mali i Krojeve dhe Qiparisi i Dy Grave, që janë aty si dy roje të lëvizjeve të “grave të mëhallës”, të japin ndjesinë e një rrugëtimi që herë shkon thellë brenda nesh, herë kërkon të shohim shumë larg nga nisja jonë. Është një rrëfim që të bën të emigrosh në një dëshirë të madhe për ta ridëgjuar këngën e atyre grave, që duket sikur janë ende në zhurmën e ëmbël të ujit që rrjedh, apo në atë flladin e malit ku ngiten herë pas here. Sepse gratë – gratë që arrijnë gjithnjë të marrin dhe nxjerrin jetë nga vetja- janë gatimi i ëmbël i asaj që duam të dëgjojmë edhe për të shkuarën, edhe për të tashmen.
Mbështetur në frymën e madhe të asaj që është shkruar apo dëgjuar brez pas brezi si amanet, libri i Kim Mehmetit duhej të ishte një ngjarje në Shkup, jehona e së cilës duhej të ndihej edhe në qiellin e Tiranës dhe të Prishtinës. Rrëfimi i tij është një dorë e zgjatur e nevojës për t’iu kthyer rrugëtimit të së shkuarës sonë, për të mos lejuar që emrin të na e vënë të tjerët dhe që ujërat që rrjedhin të mos kenë një fillim të përcaktuar nga dikush që kërkon të nisë një histori të re, duke zhdukur të vjetrën, duke na ndryshuar të shkuarën. Le të jetë e shkuara jonë nga cilado mëhallë e së shkuarës, nga çdo gjiriz i saj, për ne ka rëndësi që jo vetëm ta dimë, por edhe ta këndojmë apo qajmë sipas zakoneve tona.
(“Shënime për romanin “Mëhalla e grave” e Kim Mehmetit”)