LSDM-ja është duke ofruar ofertën më të mirë në skenën e brendshme politike. Ide dhe plan i qartë për zhvillimin e secilit qytet, secilit fshat, për tërë shtetin, informuan nga partia në ditën e parë të kampanjës për zgjedhjet lokale. Nga LSDM-ja theksuan se ditëve në vijim do të vizitojnë secilën komunë dhe secilin vendbanim.
– Nga ana tjetër ekziston një rrezik dhe kërcënim i madh. Ju vendosni. Me votën tuaj ju zgjidhni bashkësi dhe zhvillim, përballë ndarjeve dhe shtetit të robëruar. Ju vendosni. Votoni për njeriun që është vazhdimisht në mesin e popullit, i mirë me të gjithë dhe me një plan dhe zgjidhje konkrete për problemet. Votoni për njeriun nikoqir dhe mik i vërtetë, porositën socialdemokratët.
Kandidatët për kryetar komune nga partia përmes statuseve në fejsbuk tashmë zbuluan një pjesë të programit dhe kanë nisur që të realizojnë takime me qytetarët, ashtu si është rasti me Aleksandar Filipovski i cili po garon për komunën Aerodrom.
“Kemi paraparë ndërtimin e dy kopshteve të reja, në Mirucin dhe Novo Lisice, si dhe rikonstruimin e kopshtit “Bleta”. Po e kërkoj përkrahjen tuaj edhe për ndërtimin e qendrës rinore, ndërtimin shtesë në sh.f.k.”Bllazhe Koneski” dhe dy pishina të karakterit të mbyllur. Do të bëjmë riorganizimin e plotë të shërbimeve komunale, parqe të reja lagjes, terrene sportive dhe për fëmijë në të gjitha lagjet. Sot i prezantova projektet kryesore të programit tonë të cilën bashkërisht e krijuam. Po bashkohemi rreth konceptit Për lagjen tonë, për më shumë gjelbërim, hapësirë publike humane dhe komunë e cila është për të gjitha gjeneratat”, shkruan Filipovski.
Në profilin e tij në fesjbuk edhe kandidati për kryetar të Strumicës, Kostadin Kostadinov, theksoi se nga sot zyrtarisht ka nisur gara fituese dhe premtoi se do të dëshmoje se ka njohuri dhe kapacitet për të udhëhequr me komunën.
“12 muaj janë në një vit kalendarik, periudhë në të cilën 100 % do të fokusohem me Ju, në përditshmërinë tuaj, në problemet dhe sukseset. Koha të cilën po planifikoj ta kushtoj në vazhdimësi dhe t`i shërbejë në mandatin që do ta fitoj nga Ju. 12 është numri që qëndron afër emrit tim në këto zgjedhje lokale dhe është garancia e zhvillimit të Strumicës tonë, shkroi Kostadinov.



