Komisioni Evropian (KE) ka njoftuar zyrtarisht se do të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor me 3,3 miliardë euro për të menaxhuar me krizën shëndetësore, si dhe me pasojat socio-ekonomike nga ajo, transmeton korrespondentja e (MEDIAL)-s nga Brukseli.
“Ne kemi përgjegjësi të veçantë për të ndihmuar partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor në këtë pandemi, sepse e ardhmja e tyre qartë i përket Bashkimit Evropian. BE mobilizon pako të konsiderueshme financiare, duke konfirmuar solidaritetin e saj të fortë. Së bashku do ta tejkalojmë krizën dhe do të shërohemi”, deklaroi kryetarja e KE-së Ursula fon der Lajen në takimin javor të sotëm të eurokomisionarëve në Bruksel.
Komisioni Evropian njoftoi se më vonë këtë vit do të fillohet Plani i gjerë ekonomik dhe investues për tërë rajonin, i cili do t’i prezantohet liderëve të vendeve nga rajoni më 6 maj, kur do të zhvillohet samiti BE-Ballkan Perëndimor.
Ky Plan ekonomik dhe investues synon të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike të gjashtë vendeve në rajon pas krizës shëndetësore me koronavirusin.
Për periudhën 2021-2027, Komisioni Evropian propozon që shuma e përgjithshme e instrumentit paraqasësh të jetë 14,5 miliardë euro, pjesa më e madhe e të cilave do të jenë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe propozon rritje të konsiderueshme në garancitë financiare për të mbështetur investimet publike dhe private në rajon përmes vendosjes së instrumentit të posaçëm.
KE insiston që rimëkëmbja ekonomike e rajonit të përqendrohet në Tranzicionin e gjelbër dhe digjital, për të rifilluar dhe modernizuar ekonomitë e vendeve në rajon.
“Bashkimi Evropian reagoi shpejtë në mënyrë gjithëpërfshirëse ndaj mbështetjes së Ballkanit Perëndimor në menaxhimin me pandeminë e Kovid-19, me ndihmë të pakrahasueshme financiare dhe qasje në nisma të shumta të BE-së. Puna jonë do të vazhdojë me Planin ekonomik dhe investues për rajonin për të menaxhuar me pasojat socio-ekonomike të krizës, modernizimin e ekonomive, mbështetjen e reformave dhe mbylljen e boshtit të zhvillimit, dhe kështu më shpejtë të sigurojë përfitime konkrete për njerëzit”, deklaroi Komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varheji.
Komisioni Evropian paralajmëron se tejkalimi i krizës, në të cilën rajoni kalon, aktualisht, mund të bëhet realitet “vetëm nëse partnerët punojnë për të përmbushur angazhimet e tyre reformuese”.
Sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike dhe administrata publike mbesin shtyllat kryesore për zhvillimin e rajonit, thekson KE.



