Ministria e Kulturës është duke hartuar një ligj të ri për kulturën. Në fakt do të rishikojë projektligjin e hartuar katër vjet më parë, i cili nuk arriti të merrte miratimin në Komisionin parlamentar të kulturës. Projektligji i hartuar në vitin 2018 dhe i miratuar nga qeveria dy vjet më pas, sipas të cilit interesi në kulturë kalonte nga nacional në publik, u bllokua në Parlament për dy vjet (2020-2022) pa arritur të miratohet. Me bllokimin e tij ngecën një sërë procesesh të planifikuara në strategjinë e kulturës, ku si më kryesoret ishin decentralizimi i institucioneve të kulturës, mënyra e financimit të projekteve në kulturë… e të tjera. Në fuqi vazhdon të mbetet ligji i vjetër, i miratuar në vitin 1998, i cili për gjatë njëzet viteve ka pësuar 16 ndryshime dhe plotësime.
Advertisements
“Disa nga ndryshimet dhe plotësimet e viteve të fundit në ligj i kanë sjellë mospërputhjet deri në pikën e absurditetit, prandaj është nevojë urgjente miratimi i një ligji të ri”, thuhej në dokumentin që shoqëronte projektligjin. Pakënaqësitë rreth Ligjit të ri u artikuluan brenda Komisionit parlamentar të kulturës, jo vetëm nga pjesa shqiptare, por edhe opozita maqedonase. Të parët sa i takon përcaktimit të “përqindjes” për mbështetjen e kulturës shqiptare, ndërsa VMRO-DPMNE arsyetonte se ligji do të fshijë çdo gjë “nacionale” dhe se favorizon “skenën e pavarur” në kurriz të interesit nacional në kulturë. Partitë shqiptare u mjaftuan me disa amendamente, ndërsa VMRO-DPMNE ka arkivuar qindra të tilla, duke bërë të pamundur shqyrtimin. Debatin e mbylli Qeveria e cila dy muaj më parë vendosi tërheqjen e projektligjit dhe i kërkoi MK që ta ndryshonte konform vërejtjeve.
“Me kërkesë të publikut të gjerë kulturor është tërhequr projektligji për realizimin e interesit publik në kulturë dhe është formuar grupi punues i cili do të punojë për përmirësimin e draft tekstit, në drejtim të zbatimit të vërejtjeve dhe krijimit të një ambienti të favorshëm për realizimin e veprimtarive kulturore”, deklarojnë nga qeveria. Se çfarë do të ndryshojë dhe si do të hartohet ligji i ri, nga Ministria e Kulturës nuk japin hollësi. “Ministria e Kulturës është në proces të hartimit të ligjit të ri për realizimin e interesit publik në kulturë, në të cilin do të përcaktohet mundësia normativo-ligjore për vazhdimin e decentralizimit. Kur të sigurohen kushtet normativo-ligjore, sigurisht që do të përdoren analizat që Ministria ka përgatitur në vitet e kaluara me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe Qeverinë”, thonë në Ministrinë e Kulturës. (koha.mk)



