Sot janë bërë katër vite nga tragjedia e zjarrit që përfshiu spitalin modular të Tetovës, si pasojë e së cilit humbën jetën 14 persona, ndërsa spitali u dogj tërësisht. Katër vite më vonë, ende nuk ka drejtësi për jetët e humbura, pavarësisht se u zhvillua një proces gjyqësor, shkruan Portalb.mk.
Në këtë përvjetor kanë reaguar nga Më Mirë për Tetovën, ata thonë se për dallim nga rasti në Koçan, për 14 viktimat e spitalit modular as edhe sot nuk ka asnjë person prapa grilave për këtë krim.
“Përkundrazi që ironia të jetë edhe më e madhe, përveç që personat përgjegjës shëtisin të lirë, bëjnë jetë të shfrenuar në jahte dhe Dubai, bile disa nga ata edhe ia mundësuan vetes që të gëzojnë imunitet kundrejt sistemit të drejtësisë ose si “dënim” vetëm përfunduan në listën e zezë amerikane”, thanë nga Më Mirë për Tetovën.
Ata shtojnë se viktimat e spitalit modular dhe dhimbja që u shkaktua te familjet e tyre shteti tentoi që ta kompenzojë vetëm me mjete financiare por pa i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit e vërtetë të kësaj tragjedie.
“Kjo është dëshmi se korrupsioni lulëzon në shtet kurse qytetarët janë viktimë e këtij sistemi që mbrapshtë po ndërtohet 34 vite”, thanë nga Më Mirë për Tetovën.
Në ndërkohë, ende nuk ka vendim pavarësisht se kanë kaluar mbi dy vite që kur Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se po zhvillohet një hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për zjarrin në spitalin modular.
Nga Prokuroria Publike për Portalb.mk theksuan e rasti është ende në procedurë hetimore, nuk tregojnë se kur pritet të ketë vendim.
“Çështja për të cilën shfaqni interes, e cila u formua në lidhje me prokurimet publike të realizuara për ndërtimin e spitaleve modulare në gjithë shtetin, është në fazë para-hetimore dhe, pas një ankese nga një nismë qytetare, aktualisht është në shqyrtim në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut“, thanë nga Prokuroria Publike.
Kujtojmë që në maj 2024 Gjykata e Tetovës e shpalli vendimin e rigjykimit për këtë rast, ku me 1 vit e 6 muaj burg u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe ish drejtoi ekonomik Artan Etemi, ndërsa Spitali i Tetovës me 1 milion denarë.
Për dallim prej akgjykimit të parë kur dënimi po ashtu ishte me 1 vit e 6 muaj burg me kusht, kësaj here dënimi është pa kusht.
Të akuzuarit nuk u akuzuan për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.
Besimi dhe Etemi u shpallën fajtorë për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa ISHP Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Rasti ishte në rigjykim pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ktheu një pjesë të lëndës në Gjykatën Themelore në Tetovë.