Emisioni Investigativ ‘Tak Fak’, solli këtë të hënë një denoncim të çuditshëm që ka mbërritur në redaksi nga qytetari Petraq Karpuzi, nga Bilishti, i cili ndërsa priste që në banesë ti vinte celulari nga Gjermania që i kishte dhuruar nusja e djalit, në banesë i erdhi kutia bosh.
Gazetarja e ‘Tak Fak’ u takua në qytetin e Bilishtit me zotin Karpuzi, i cili shpjegoi të gjithë situatën.
“Nusja e djalit solli një telefon në emër të djalit nga Gjermania. Vinte për tre ditë në Bilisht. Djali priti një javë, telefoni nuk erdhi, pastaj shkoi në Gjermani. Pritëm një muaj. Letra ishte brenda. Kutia ishte bosh. Pakoja erdhi më 19.12.2024”, tregoi ai.
Më pas ai ka treguar kutinë të cilën ka marrë nga posta, ku thotë se vula ishte e lëvizur dhe se brenda shoqërohej me një dokument që tregonte detaje mbi dërgesën.
“Postieri që e solli ma dha dhe iku. Tani unë dua që ose të më sjellin telefonin, ose të më thonë që të zgjidhet kjo çështje, të mos vazhdojë më kështu”, tha zoti Karpuzi.
Kamera e ‘Tak Fak’ shkoi më pas në njësinë e postës të Bilishtit së bashku me denoncuesin ku janë ballafaquar me përgjegjësen e zyrës.
Kjo e fundit pas njohjes me rastin u shpreh se fleta e treguar nga zoti Karpuzi vërteton procesverbalin e mbajtur nga posta dhe se pakoja nuk është dëmtuar nga pala e saj.
“Kjo fleta vërteton procesverbalin që kemi mbajtur ne. Nuk është dëmtuar nga ne. Nga Posta Tranzit në Tiranë, thonë që ka ardhur e dëmtuar. Si rregull personi duhet të thirret të jetë present këtu, kur vjen pakoja e dëmtuar”, tha ajo.
Me të dalë nga selia e postës, në këtë të fundit shkoi thirrja për hapjen e kamerave, për të cilën zoti Karpuzi u shpreh tejet mirënjohës pasi pa ndihmën e ‘Tak Fak’ nuk kishte mundur të gjente zgjidhje më parë.