Kryetari i Lëvizjes Besa në Maqedoni, Bilall Kasami thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se pushteti po bën forma të ndryshme të trysnisë ndaj punonjësve të administratës dhe sipërmarrësve për të marrë votat në zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit. Ai flet për zhvillimet aktuale, ndërsa përgjigjet edhe për çështjet mjaft të debatueshme për orientimin dhe fondet e partisë së re të cilën e drejton.
VOA: Zoti Kasami, çka pritni pas 11 dhjetorit? Nëse fitoni mandate në parlament, cilat do të jenë çështjet më me përparësi me të cilat do të merreni?
Bilall Kasami: Për këto dy vjet sa jemi në skenë, kemi arritur ta sfidojmë seriozisht partinë shqiptare në pushtet dhe vërtetë kemi arritur që shqiptarëve të Maqedonisë t’ua rikthejmë shpresën dhe besimin në politikë dhe tek politikanët. Ajo që ne presim nga këto zgjedhje është që të dalim fitues dhe me atë që koalicioni “Rilindje me Besë” do të dalë fitues, garantojmë se të gjithë shqiptarët do të jenë fitues!”
VOA: Çka nënkuptoni më saktësisht me “ridefinimin” e Maqedonisë, që po e promovoni nëpër mitingje dhe paraqitje të tjera publike?
Bilall Kasami: Ridefinimi nënkupton që Maqedonia njëherë e përgjithmonë të jetë shtet i shqiptarëve po aq sa është shtet i maqedonasve. Nënkupton ridefinimin e tërë sistemit juridiko-kushtetues të Maqedonisë nga një sistem monoetnik i kombit maqedonas në një sistem në një shtet i cili do të reflektojë realitetin shoqëror, që nënkupton se realiteti shumëetnik i Maqedonisë do të duhet detyrimisht të reflektojë edhe në karakterin shumëetnik të shtetit. Do të ridefinojmë edhe sistemin ekonomik, i cili gjithashtu krijon diskriminim për shqiptarët e Maqedonisë.
VOA: Zoti Kasami, si u përgjigjeni vërejtjeve dhe vlerësimeve të konkurrentëve politik që thonë se Lëvizja Besa ka qëndrime ose orientime islamike dhe se keni po ashtu mbështeje financiare nga faktorë politikë të Turqisë?
Bilall Kasami: Është anakronike që dikush me bindje marksiste-leniniste dhe që vazhdimisht nëpër tubime ka mbajtur ligjerata fetare, njerëz që thonë se kush duhet të shkojë në xhenet apo xhenem, me terminologjinë islame, apo ferr dhe parajsë… njerëz të cilët nëpër tubimet e tyre kanë bërtitur me një fjalor ekstrem islamik… vërtetë kur këta njerëz akuzojnë një parti, lëvizje politike me orientim kombëtar që vetëm për se e kemi theksuar në platformë se besojmë në Zot dhe mbështetemi në parimin e besimit tek Zoti dhe në vlerat kombëtare shqiptare – është e padrejtë dhe e pamoralshme! Sepse besimi në Zot nuk është besim ekskluzivisht i myslimanëve, por është një vlerë që e përkrahin edhe evropianët e amerikanët dhe bota e civilizuar.
Sa i përket financimit, koalicioni “Rilindja me Besë” këto ditë dorëzoi raportin financiar para institucioneve gjegjëse këtu në Maqedoni dhe deri tash nuk kemi pasur ndonjë vërejtje të ketë pasur ndonjë shkelje. Jemi subjekti më i pastër sa i përket financimit. Lëvzjen Besa e financojnë ata faktorë të cilët financuan aktivitetet e para pluraliste të subjekteve politike të shqiptarëve të Maqedonisë në vitet ’90;
Janë po ata financues të cilët ndihmuan luftën e 2001-s dhe po të njejtit që kanë financuar çdo projekt kombëtar këtu në Maqedoni.
VOA: Duket se ka shqiptarë të cilët janë ndier të fyer pas një publiciteti të Lëvizjes Besa ku thoni se “vetëm ai që është me Besën – është me Zotin”. Si u përgjigjeni atyre besimtarëve të cilët kanë zgjedhur të jenë me një tjetër parti?
Bilall Kasami: Në konventën e 22 nëntorin ne kërkonim që të na bashkangjiten të gjithë ata që besojnë në drejtësi, që besojnë në Zot, të gjithë ata që besojnë në shqiptari. Janë këto vlera të cilave ne u përmbahemi dhe që duam t’i fusim në shërbim të çështjes shqiptare në Maqedoni. Në asnjë moment ne nuk e kemi privatizuar as çështjen e zotit as të besës, por përkundrazi vlerësojmë se dështimi i politikës shqiptare në Maqedoni ka ardhur si rezultat i tradhtisë nga ana e politikanëve, të cilët e humbën edhe vlerën e vetme identifikuese të shqiptarëve gjithasndej dhe ajo ishte besa.
VOA: Cila është oferta juaj kryesore, çka i premtoni elektratit shqiptar në këto zgjedhje?
Bilall Kasami: Oferta jonë është komplekse, që nisë nga ridefinimi i sitemit juridik – kushtetues, të financave publike që kanë qenë të centralizuara në nivel qëndror; Garantojmë që për katër vjet të mandatit tonë do të ngrisim pagat në arsim për 50%, Universitetit të Tetovës, profesorëve dhe studentëve atje do t’ua kthejmë dinjitetin, do të ndërtojmë bibliotekë, konvikt; garantojmë investime në infrasrtukturë, do ta lidhim Maqedoninë me Kosovën me autostradë, garantojmë investime për lidhjen e Maqedonisë me Shqipërinë përmes Dibrës; garantojmë investime në bujqësi…
VOA: Me cilën parti maqedonase mendoni se do të qeveriset më mirë vendi? Ju keni pasur takime para fushatës me drejtuesin opozitar Zoran Zaev… A keni pasur çfarëdo lloj komunikimi me Nikolla Gruevskin e VRMO-së?
Bilall Kasami: Për ne është me rëndësi të marrim legjitimitetin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe pastaj u garantojmë shqiptarëve se një herë e përgjithmonë çështja shqiptare do të kthehet në binarët e duhur. Për ne është pak me rëndësi se a do të fitojë VMRO-ja apo LSDM-ja nëse ne jemi të qëndrueshëm dhe t’u garantojmë shqiptarëve se do të qëndrojmë në platformën tonë dhe nuk do të devijojmë nga oferta jonë politike. Kemi pasur kontakte me drejtuesin e opozitës, shkaku që edhe ne jemi parti opozitare dhe ka qenë më e natyrshme që të komunikojmë. Deri tash nuk kemi pasur ndonjë kontakt as komunikim zyrtar me VMRO-në, por sidoqoftë, pas zgjedhjeve ne jemi të gatshëm të bisedojmë me çdo subjekt politik, i cili do të fitojë në kampin poitik maqedonas, nëse ne fitojmë në kampin shqiptar, dhe nëse ata janë të gatshëm të bisedojnë për ridefinimin e këtij shteti.
VOA: A pritni një proces të drejtë dhe të qetë zgjedhor?
Bilall Kasami: Ne mundohemi të japin kontributin tonë që këto zgjedhje të jenë të pranueshme për të gjithë faktorët politikë, por të jenë zgjedhje ku shqiptarët do të dalin me vullnet të lirë të votojnë pa asnjë presion. Ajo që po ndodh ditëve të fundit, vërtetë po na nxjerr në një situatë të palakmueshme. Po ndodh një trysni sistematike e pushtetarëve shqiptarë karshi të gjithë faktorëve të cilët po përkrahin koalicionin Rilindje me Besë. Por të gjithë ata të cilët do të dhunojnë votën shqiptare, do të kërcënojnë votuesin shqiptar, qoftë administrator, afarist… ne garantojmë se pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit ata do të dalin para drejtësisë dhe do të japin llogari për gjithë atë që do t’ua kenë bërë shqiptarëve!