10 Janar
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski tërhiqet nga qëndrimet e tija. Pasi javën e shkuar në konferencë shtypi doli me sërë kritikash lidhur me reformat në gjyqësor, Prokurorinë Speciale dhe analizën e sistemit AKMIS i cili tregoi abuzime, sot përmes njoftimit në faqen e Këshillit sqaroi se qëndrimet e nxjerra kanë qenë mendime të tija personale.
Këshilli Gjyqësor
“Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë njofton opinionin se qëndrimet e shprehura në konferencën e shtypit më 4 janar të vitit 2018, lidhur me punën e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë, janë qëndrime personale të tij”.
Tërheqja e Zoran Karaxhovskit dhe zbutja e qëndrimeve vjen pasi më shumë se gjysma e anëtarëve të këtij Këshilli shprehën mospajtim me sjelljen e kryetarit të këtij organi. Anëtarët e pakënaqur, edhe pse kërkuan takim që dje, ai u realizua sot në mëngjes. Pasi kanë siguruar kolegjium, Karaxhovski përmes njoftimit të shkurtër kumtoi se çdo gjë që ka thënë është qëndrim i tij personal. Ndryshe, anëtarët reaguan ndaj qëndrimeve të Karaxhovskit kur mes tjerash, kritikoi edhe emërimin e Lubomir Jovevskit për prokuror të ri shtetëror, por e kritikoi edhe Këshillin e Ministrisë së Drejtësisë të angazhuar për reforma në gjyqësor, si pjesë e Planit “3-6-9”.
Kjo punë po bëhet pa përqendrim. Shohim se trupi ad-hok, i quajtur Këshill për reforma në gjyqësor përbëhet nga ekspertë, të cilët nuk kanë kurrfarë lidhje me gjyqësorin apo me gjykime, përveç që në gjykatë janë paraqitur si paditës apo të paditur – deklaroi Zoran Karaxhovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Vitin e kaluar Këshilli Gjyqësorë ishte vëzhgues i “heshtur” i skandaleve që tronditën gjyqësorin. Edhe pse Komisioni i Ministrisë së drejtësisë që e kontrollonte sistemin elektronike për shpërndarjen e lëndëve konfirmoi shkelje serioze, Këshilli siguronte se sistemi AKMIS përdoret në mënyrë përkatëse dhe pa abuzime. Gjithashtu Karaxhovski kritika ka lëshuar në adresë të Speciales. Ai dhe kryetari i Supremes, Jovo Vangelovski abuzime të mundshme të sistemit AKMIS kontrollonin vetëm në Gjevgjeli, pasi gjykata e atjeshme i dha leje prokurores Katica Janeva që të bastisë gjykatësin Vladimir Pançevski, i cili sipas PSP-së ka vendosur gjykatës në rastet e tyre.
Bojan Stojanovski

