SHKUP (AA) – Ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, tha se Organizata Terroriste FETÖ paraqet rrezik serioz edhe për sigurinë e Maqedonisë, pa dallime etnike apo fetare, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadorja Kara, në deklaratën për AA dënoi sulmin makabër ndaj ambasadorit të Federatës së Rusisë në Ankara, Andrei Karlov, ndërsa familjes dhe popullit të Rusisë u shprehi ngushëllime.
FETÖ nuk synon vetëm qëndrueshmërinë e Turqisë
Duke theksuar se FETÖ nuk synon vetëm qëndrueshmërinë e Turqisë, Kara tha se, “Në çdo rast kemi theksuar se kjo organizatë terroriste herët apo vonë do të dëmtojë edhe sigurinë e shteteve të tjera. Fatkeqësisht, kishim të drejtë.”
Sipas Kara, sulmi ndaj Karlov nuk kishte për qëllim vetën Federatën e Rusisë, por edhe marrëdhëniet miqësore mes Turqisë dhe Rusisë. Ajo tha se FETÖ paraqet rrezik serioz edhe për sigurinë e Maqedonisë pa dallime etnike apo fetare.
Kara tha se presin nga autoritetet e Maqedonisë që sa më parë ta zbatojnë vendimin e marrë për pengimin e aktiviteteve të institucioneve dhe organizatave që kanë lidhje me FETÖ-n.
“Me këtë rast, dua t’i drejtohem në përgjithësi popullit në Maqedoni. Bota ka parë se çfarë është në gjendje të bëjë FETÖ. Kjo organizatë terroriste shkaktoi më shumë se 250 dëshmorë në Turqi, ndërsa tani vrau ambasadorin rus. Duke qenë kështu, mos kontribuoni në mënyrë të drejtpërdrejtë në financimin e terrorit duke i regjistruar fëmijët tuaj në shkollat ku këta terroristë bëjnë propagandë të urrejtjes. Mos lejoni që FETÖ t’i dëmtojë interesat e Maqedonisë”, potencoi ambasadorja Kara.