Drejtoria e Doganave njoftoi se kanë parandaluar hyrjen ilegale të pesë emigrantëve nga Kongo dhe Afganistani, në Maqedoninë e Veriut. Ata janë zbuluar në një kamion me targa serbe në vendkalimin kufitar “Bogorodicë”.
“Më 14 prill të vitit 2023, në vendkalimin kufitar ‘Bogorodicë’, gjatë kontrollit të automjetit transportues me targa serbe, të paraqitur si tranzit, janë zbuluar pesë migrantë pa dokumente për identifikim. Gjatë kontrollit të automjetit, të kryer me skener mobil, në pjesën e rimorkios, të dedikuar për pjesë rezerve, janë zbuluar pesë personat me prejardhje nga Kongo dhe Afganistani”, thonë nga Doganat.
Personat janë dërguar në repartin për çështje kufitare dhe migrime pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme për procedurë të mëtejshme.



