Kaos në rrugët e Çairit, trafiku në këtë komunë funksionon në kundërshtim me çdo rregull. Trotuaret shërbejnë si vende parkimi, korsitë e trotineteve dhe biçikletave janë dëmtuar dhe janë vënë në shërbim të automjeteve, qoftë për kalim, apo për parkim. Qytetarët me trotinete e biçikleta shëtisin në mes të rrugëve. Në mes të rrugëve ecin edhe këmbësorët, shpesh edhe nëna me karroca me fëmijë të cilët ekspozohen vazhdimisht ndaj rrezikut, si pasojë e mungesës së infrastrukturës së duhur, apo papërgjegjësisë së bashkëqytetarëve të tyre.
“Vetë pamja tregon, lëshoja një incizim e sheh se sa është e vështirë”, tha një qytetare.
-Ne ju pamë paraprakisht se ishit në mes të rrugës, a jeni detyru, për çfarë arsye?
“Rrugët janë të bllokuara, trotuaret të bllokuara”, shtoi ajo,
-A mendoni se çdo ditë jeni duke u ekspozuar ndaj rrezikut?
“Jo çdo ditë, po thuajse çdo sekondë, çdo minutë”, theksoi një qytetare.
“Shumë shumë vështirë, ja ndonjëherë i lënë veturat deri këtu, shpesh i biejmë përreth, shumë problematik, duhet të dalim nëpër rrugë kryesore”, tha një qytetar.
A mendoni se jeni të rrezikuar?
“Po sigurisht, nuk jemi rehat, prej popullit tonë s’jemi rehat, këtu krejt populli ynë është, shpresoj të drejtohen”, shtoi ai.
“Ne jemi mësuar se qe 25 vite nuk ka lëvizur asgjë, veç më keq shkon duke u bërë. Ne e kemi problem me politikanët se na premtojnë dhe nuk realizojnë, se për shembull te ky parkingi këtu në Çairçankë se do të bëhet parking 3-4 katësh, e ka premtu ai që ka ik, Artan Grubi. Që 20 vjet çka nuk na kanë premtu. Të paktën ndërtesat kur t’i ndërojnë, le t’i ndërtojnë edhe parkingje”, u shpreh një qytetar.
Komuna e Çairit vazhdimisht përballet me mungesën e infrastrukturës së mirëfilltë rrugore, ndërsa problem të madh paraqet edhe mungesa e vendeve për parkim. Akoma asgjë nga premtimet e “Kontratës” së Visar Ganiut për parkingjet me kate në këtë rajon. I vetmi projekt nga “Kontrata” që së fundmi u riaktualizua është ai i parkingut nëntokësor në sheshin “Skenderbeu” për të cilën Qeveria ndan 20 milion euro për parking nëntokësor, për rreth 380 vendparkime të reja./Alsat.mk