6 Tetor 2018 / 17:08
Stërngarkimi I grupeve me fëmijë në çerdhen “Borëbardha” dhe mungesa e hapësirave në të ka revoltuar në masë të madhe një grup të prindërve, fëmijët e të cilëve janë të moshës prej 2 deri në 4 vjet. Ata shprehin shqetësim për klasën e improvizuar dhe të vogël ku fëmijët qëndrojnë prej 8 deri në 10 orë dhe realizojnë me vështirësi plan programin e paraparë nga edukatoret dhe përkëdhelëset. Madje, siç thonë prindërit është e paimagjinueshme që 32 fëmijë të qëndrojnë në një hapësire rreth 25 metra katrorë.
“Me atë çfarë kemi parë fatkeqësisht jemi dëshpëruar, për arsye se fëmija im qëndron në një godinë, në një hapësire shumë të vogël të cilat nuk I plotësojnë kushtet minimale për mirëqenien e një fëmijë trevjeçar të qenit në çerdhe. Për këtë bëjmë thirrje deri te organet kompetentë që të reagojnë urgjentisht për një hapësirë më të gjerë që të korrespondoj më numrin e fëmijëve, sigurisht, mundësisht edhe një përkëdhelëse plus se nuk mundet 32 fëmijë ti mbulojnë vetëm dy, një edukatore dhe një përkëdhelëse. Dhe, ajo që dua të theksoj, kontributi financiar, për gjithçka merret nga prindërit, qoftë për mjetet higjieno sanitare, qoftë për lodra, për aktivitetet e zhvillimit, ndermirën vet nga iniciativa e prindërve”.
Zgjidhjen e këtij problemi, prindërit e shohin në lirimin e dy klasave në këtë çerdhe të cilat janë të uzurpuara me gjashtë paralelet e klasave të para të shkollës fillore “Ismail Qemali”, që gjendet përballë kësaj çerdhe.
“Aty I kanë tavolinat dhe karriget, hanë ushqim dhe në të njëjtën kohë e transformojnë në vend fjetje… Kërkesa jonë reale do të ishte se të paktën ta kemi ndonjë vend pak më të gjerë,…në objektin e kësaj çerdhe këtu mbrapa shkolla fillore “Ismail Qemali” ka marr dy klasa për klasat e para të cilat I shfrytëzojnë, besoj që njëra prej atyre klasave do të ishte mjaftueshëm për fëmijët tanë… Besoj që të paktën fëmijëve të klasave të para tu gjejnë vend në shkollën fillore dhe neve të na lirojnë vendin të cilin besojmë që fëmijët tanë e meritojnë”.
Nga çerdhja në fjalë janë të njoftuar për këtë problem dhe thonë se ky stërngarkim vjen si rezultat I shtimit të shpejtë të popullsisë në komunën e Çairit. Për momentin, në këtë çerdhe janë të riregjistruar mbi 600 fëmijë ndërkohë që kapaciteti I saj është për rreth 300 fëmijë. Edhe nga Ministria e punës sociale pranojnë se janë të njoftuar për këtë problematike ndërkohë që sqarime do të japin javën vijuese.
Melihate Rustemi


