Me 1200 diagnostifikime brenda një viti, Maqedonia shënon shifra dyfish më të larta me gra të prekura nga kanceri i gjirit në rajon. Pothuajse një e treta e pacientëve kanë përfundim fatal. Në mungesë të mamografive dhe të kontrolleve të rregullta, shifrat janë rritur frikshëm vitin e kaluar. Bashkë me to edhe spostimi i kufirit të moshës, që çdo vit e më shumë prek edhe 20 vjeçaret. Ndërsa statistikat zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) treguan se vitin e kaluar ka pasur një numër më të madh të të sëmurëve të rinj, 168 pacientë të moshës 20 deri në 45 vjeç. Arsyeja është se paraqiten me vonesë për ekzaminim, problemi me diagnostifikimin dhe mungesa e mamografisë në shëndetin publik.
“Ne kemi një shkallë të lartë të sëmundjeve ndryshe nga vendet e tjera, si Shqipëria, Kosova që kanë 600 të diagnostikuar çdo vit dhe numri ynë është dyfish. Arsyeja kryesore e kësaj situate janë ekzaminimet e parregullta dhe zbulimi i kancerit në një fazë të mëvonshme kur trajtimi është më i vështirë. Në vitet e kaluara, numri i rasteve të reja ka variuar nga 900 në 1200, ka ngecur gjatë Kovid-it dhe tani po rritet për shkak se atëherë u ndërprenë mamografia dhe depistimi”, thotë Emanuela Dodeva, kryetare e Shoqatës për Iniciativa për Zhvillim në Shëndetësi – EZRA, në ligjëratën edukative në Kumanovë për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kanceri i gjirit, që do të shtrihet edhe në 17 qytete, për të mundësuar konsultime pa pagesë për të gjithë pacientët.
Doktoresha Meri Peshevska nga Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji në Shkup, thotë se kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë që shfaqet tek një në tetë gra. Për çdo njëqind gra, janë dy raste të pacientëve meshkuj me kancer gjiri. “Numri i pacientëve është vazhdimisht në rritje, por është mirë që zbulohet herët dhe do të thotë që ka më shumë shanse për shërim të plotë. Ndryshe, numri i pacientëve femra është në rritje dhe kufiri i moshës po ndryshon vazhdimisht. Pas studimeve ka qenë pas moshës 50 vjeçare, por tani kemi shumë pacientë të rinj, edhe rreth 20 vjeç”, thotë Peshevska.