I falet një gabim, tolerohet një dështim. Por kur dështimi përsëritet për dekada, ai nuk është më gabim – është paaftësi dhe mungesë interesi.
Kështu shkruan Bashkim Bakiu, ish-kandidat i VLEN-it për kryetar të Qytetit të Shkupit, duke komentuar nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë.
Sipas Bakiut, Kosova është një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Maqedonisë së Veriut dhe njëkohësisht vend me të cilin vendi ka suficit të vazhdueshëm tregtar.
Ai thekson se për rreth 10 kilometrat e rrugës që lidh Shkupin me Kosovën ndër vite ka pasur refuzime, pengesa dhe tentativa për shtyrjen e projektit, ndërsa ajo që ka munguar ka qenë vendosmëria politike.
Bakiu kritikon edhe qeveritë e kaluara, duke ngritur pikëpyetje të veçantë për periudhën 2020–2024.
“Qeverisë së viteve 2002–2006 mund t’i falet. Qeveritë 2008–2016 nuk patën takat. Qeveria 2016–2020 ka dështuar kundrejt Kosovës. Por qeveria 2020–2024? A nuk patët gjysmën e Qeverisë? Atëherë pse nuk e bëtë edhe ju?”, shprehet Bakiu.
Ai vlerëson se vendosja e gurthemelit sot nuk duhet parë si një proces i lehtë, pasi, sipas tij, edhe gjatë kësaj periudhe ka pasur tentativa për refuzim, pengesa dhe kundërshtime.
“Kur një projekt është prioritet, duhet të ketë vendosmëri për ta realizuar. Sepse prioriteti është prioritet për shtetin, për qytetarët dhe për ata që marrin përgjegjësinë për të qeverisur”, thotë Bakiu.
Në fund, mesazhi i tij është i qartë: sot nuk mjafton të pyetet pse ky projekt nuk u realizua më herët.
“VLEN të thuhet: më në fund po bëhet”, përfundon Bashkim Bakiu.



