15 Tetor 2018 / 11:20
Si partner i koalicionit në qeveri kam pasur obligim të prezantoj propozimin alternativ, të cilin kryeministri Aleksis Cipras e di, por nuk e miraton si politikë nacionale, ka thënë ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos në intervistën për televizionin shtetëror ERT, lidhur me planin e tij B për marrëveshje ndërshtetërore si alternativë të Marrëveshjes së Prespës, të paraqitur në takimin me përfaqësues të administratës amerikane, gjatë vizitës së tij në Uashington.
“Propozimin alternativ e di kryeministri, por nuk e ka miratuar si politikë nacionale. E kam sqaruar, se ky, sipas mendimit tonë, do të duhej të jetë propozim, propozim alternativ në rast se Marrëveshja e Prespës të mos ecë përpara ose nga ana jonë ose nga ana e tyre”, ka thënë Kamenos, duke sqaruar se propozimi i tij është të garantohet siguri në rajon, sipas shembullit të takimeve trilaterale që i mban Greqia, të bëhet një marrëveshje në të cilën do të marrin pjesë Shqipëria, Bullgaria, Greqia edhe Maqedonia edhe SHBA-ja, ndërsa më vonë të inkuadrohet edhe Serbia.
Siç ka lajmëruar korrespondentja e MIA-s nga Athina, ministri i Mbrojtjes dhe lider i Grekëve të Pavarur, ka thënë se ai është pozicioni si partner koalicioni, ndërsa përgjigja që ka marrë nga SHBA-ja ka qenë se insistojnë në mbështetje të Marrëveshjes së Prespës. Ai ka shtuar se në takim me ministrin e Jashtëm të SHBA-së – vendin partner, “ke për detyrë jo vetëm të shprehësh mospajtimin tënd, por të japësh edhe propozim alternativ”.
“Në Stejt Departamentin vij si ministër për mbrojtje nacionale dhe pasi të zgjedhim çështjet që i referohen Ministrisë për mbrojtje nacionale, kam për detyrë si partner koalicioni në qeveri të sqaroj se ne si partner koalicioni në qeveri nuk dakordohemi me Marrëveshjen e Prespës”, tha Kamenos në intervistë duke shtuar se në takim ka sqaruar se “pozicioni i qeverisë gjithsesi edhe më tej është Marrëveshja e Prespës, siç është cekur nga ministri i Punëve të Jashtme dhe kryeministri”.
Në intervistë për ERT, Kamenos edhe njëherë përsëriti se derisa ka qëndruar në SHBA, nuk ka pasur bisedë telefonike me Ciprasin, ndërkaq refuzoi të japë përgjigje të qartë dhe të drejtpërdrejtë nëse gjatë ditës së sotme do të realizojë takim me kryeministrin grek, siç publikojnë prej mëngjesit disa nga mediumet greke.


