Kaloi muaji janar dhe qytetarët e Shkupit, Tetovës, Manastirit dhe Kërçovës ende nuk i kanë marrë subvencionet për klimat inverter që u paralajmëruan që nga shtatori i vitit të kaluar.
Elektranat e Maqedonisë mjetet për subvencione i ka kaluar te katër komunat, por të njëjtat ende nuk kanë hapur thirrje që qytetarët të aplikojnë për të marrë subvencione. Nga Qyteti i Shkupit thonë se kjo pritet të ndodh së shpejti, por nuk bëjnë të ditur se kur.
“Unë pres që programi që duhej ta përgatisim do të përfundojë së shpejti dhe do të kemi konferencë të veçantë për promovim të fillimit të subvencioneve”, tha Shilegov.
TV 21: Sa mjete u janë ndarë për këtë?
Shilegov: 322 milionë denarë.
Javën e kaluar Qeveria formoi edhe komision i cili do të mbikëqyr procedurën e ndarjes së subvencioneve. Komisioni do të ketë anëtarë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, zëvendëskryeministrit ekonomik, Ministria e Ekonomisë dhe Elektranave të Maqedonisë dhe organizata joqeveritar. Ndër ta është edhe “Eco Guerilla” nga Tetova. Arianit Xhaferi nga kjo shoqatë tha se ende nuk e kanë marrë njoftimin nga Qeveria dhe nuk e dinë se cili do të jetë roli i tyre, megjithëse deklaroi se kanë dyshime serioze se si mund të ndahen subvencionet.
“Nga ana e Qeverisë nuk kemi marrë asnjë informacion shtesë, asnjë thirrje për ndonjë takim të mundshëm për të sqaruar, për të kristalizuar qëndrimet dhe vërejtjet tona rreth shpërndarjes së inverterëve, sepse kemi dyshime serioze në mënyrën se si mund të shpërndahen ato që mos të shfrytëzohen sa për pikë politike”, deklaroi Arianit Xhaferi.
Subvencionet për klima inverter ishte një nga masat për të ulur nivelin e ndotjes së ajrit në Shkup, Tetovë, Manastir dhe Kërçovë, pasi me të parashihet që të ndërrohet mënyra e ngrohjes së amvisërive. Do të thotë të largohet shporetët me dru dhe në vend të tyre të vendosen inverterët. Ata prashihen të ndahen në vende ku nuk ka sistem të ngrohjes qendrore dhe të gazifikimit, ndërkaq subvencioni nuk pritet të tejkalojë vlerën prej 60 mijë denarë. Subvencionimi u paralajmërua prej shtatorit të vitit të kaluar, ndërkaq siç shihet amvisëritë ende nuk i kanë siguruar.



