Policia në Veles ka ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Velesit Sllavço Çadiev nën dyshimin për keqpërdorimin e funksionit. Sipas informatave të policisë, Çadiev dyshohet se gjatë periudhës kur ka qenë këshilltar në Komunën e Velesit, ia ka kaluar kompetencat e një pushimoreje Komunës Çashka.
Menjëherë pasi Komuna Çashka ka marrë përsipër pronësinë e pushimores sindikaliste, e ka nxjerrë në shitje me çmim fillestar prej vetëm 483 mijë eurosh. Ky objekt fillimisht kishte qenë i kontestuar mes Komunës së Velesit dhe Ndërmarrjes Publike për Menaxhim e Hapësirës Publike dhe pas proceseve gjyqësore Komuna Veles kishte marrë kompetencat mbi këtë pushimore.
Por, vetëm një javë pasi Velesi e kishte marrë vendimin gjyqësor, ia kishte kaluar pronësinë Komunës Çashka, e cila me automatizëm e ka nxjerrë në shitje. /SHENJA/

