Ministri për Punë të Brendshme Agim Nuhiu pas takimit me kryetarin e SHGM-së, ka informuar se SPB Shkup, ka ngritur kallëzim penal kundër një personi i cili dyshohet të ketë sulmuar ekipin e A1on.
Nuhiu ka thënë se në ditët në vazhdim SPB Shkup edhe kundër personave tjerë do të ngrejë padi për shkak të sulmit ndaj gazetarëve.
“Askush nuk është mbi Ligjin, një ditë tq gjithë duhet të bartin përgjegjësi. Ne duhet të respektojmë vlerat kushtetutore, institucionet shtetërore dhe demokratike”, ka thënë Nuhiu, transmeton SHENJA.
Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani tha se ministri Nuhiu po vendos një praktik të re, sepse MPB për herë të parë në një kohë shumë të shkurt ka identifikuar persona që kanë kryer sulm ndaj gazetarëve.
Ai ministrit i ka dorëzuar edhe një listë të rasteve të gazetarëve të sulmuar e që nuk janë zbardhur.

