SPB Shkup ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër Z.A., ish-drejtor i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” sipas nenit 354, paragrafi 1 i Kodit Penal; kundër F.M., ish-zëvendësdrejtor i agjencisë, për të njëjtën vepër penale në lidhje me nenin 24 të Kodit Penal – “ndihmë”; si dhe kundër L.U., A.R., E.T., A.B. dhe A.B., të punësuar në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, për shkak të dyshimit për kryerjen e të njëjtës vepër penale me ndihmë.
Sipas kallëzimit, Z.A., në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, gjatë periudhës 2017–2020, në disa raste ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme mjete financiare që i ishin besuar në detyrë, për udhëtime zyrtare jashtë vendit ku kishte marrë pjesë personalisht. Ai ka marrë mëditje në masën 50%, ndonëse, sipas Rregullores për ndryshimin e rregullores për shpenzimet e udhëtimeve zyrtare brenda dhe jashtë vendit, duhej të merrte vetëm 20%, pasi shpenzimet për akomodim dhe ushqim nuk mbuloheshin nga institucioni.
F.M., në cilësinë e zëvendësdrejtorit, duke nënshkruar vendimet për aprovimin e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, e ka ndihmuar Z.A.-në që t’i përvetësonte paratë në mënyrë të paligjshme.
Ndërkohë, L.A., A.R. dhe E.T., në disa raste, në kundërshtim me rregulloren e përmendur, kanë përgatitur vendime për aprovimin e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit në emër të Z.A., mbi bazën e të cilave A.B. dhe A.B. kanë miratuar pagesën e mjeteve financiare, edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm se vendimet nuk ishin marrë në përputhje me rregulloren.
Në këtë mënyrë, Z.A. është pajisur në mënyrë të kundërligjshme me përfitim financiar në vlerë të përgjithshme prej 62.530 denarësh, në dëm të buxhetit të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari.


