Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Shkup ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Shkupit kundër shtetasit Z.A., ish-drejtor i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “përvetësim në detyrë”.
Për të njëjtën vepër penale janë kallëzuar edhe F.M., ish-zëvendësdrejtor i agjencisë, si dhe punonjësit L.U., A.R., E.T., A.B. dhe A.B., të gjithë të punësuar në këtë institucion.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Z.A., gjatë periudhës 2017–2020, në cilësinë e drejtorit të agjencisë, në disa raste dyshohet se ka përvetësuar fonde publike gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit. Ai ka marrë kompensim ditor në vlerë prej 50%, ndonëse sipas Dekretit për ndryshimin e Dekretit për shpenzimet e udhëtimeve të punës dhe udhëtimeve jashtë vendit, kishte të drejtë vetëm për 20%, pasi shpenzimet e akomodimit dhe ushqimit nuk mbuloheshin nga institucioni.
Në këtë mënyrë, ai dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme 62.530 denarë, duke dëmtuar buxhetin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Po sipas MPB-së, F.M., në rolin e zëvendësdrejtorit, ka ndihmuar Z.A.-në duke nënshkruar vendimet për miratimin e udhëtimeve të punës jashtë vendit.
Ndërkohë, L.U., A.R. dhe E.T. në disa raste kanë përgatitur vendime të tilla në kundërshtim me dekretin përkatës, ndërsa A.B. dhe A.B. kanë miratuar pagesën e fondeve mbi bazën e këtyre vendimeve, megjithëse ishin të vetëdijshëm se ato nuk ishin në përputhje me rregulloren.
MPB njofton se të gjithë të përfshirët, me veprimet e tyre, kanë mundësuar që Z.A. të përfitojë dobi pasurore të kundërligjshme, në dëm të buxhetit të institucionit publik.


