Policia financiare ka ngritur kallëzim penal kundër ish drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Pasko Kuzman, nën dyshime të keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Por kallëzim ka edhe për një person përgjegjës në kompaninë kroate Konstruktor Inzhenering me seli në Tetovë, dhe poashtu edhe ky person dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Thuhet se Pasko Kuzman, në vitin 2010 ka lidhur marrëveshje për restaurimin e Universitetit të Shën Klimentit në Pllaoshnik të Ohrit me kompaninë Kroate Konstruktor, por edhe pse ka patur garanci bankare për ofertën, Pasko Kuzman nuk ka lidhur garanci bankare për zhvillimin kualitativ të punimeve. Është zbuluar se personi përgjegjës në kompani, ka paraqitur dokumentacion të rrejshëm se gjoja i ka kryer punime dhe për këtë shërbim ka kërkuar mbi 300 mijë euro. Përkundër faktit që Kuzman e ka ditur se kompania nuk i ka zhvilluar punimet, ia ka paguar 300 mijë eurot. Kështu Pasko Kuzman me pagesën që ia ka bërë kompanisë kroate dhe mos aktivizimin e garancisë bankare, e ka dëmtuar buxhetin e shtetit, për gjysmë milionë euro.
Kuzman ka patur mundësi që ta aktivizojë garancinë bankare në qoftë se nuk ka qenë i kënaqur nga kualiteti i punimeve, dhe ka pasur mundësi që shteti ti ktheheshin 240 mijë euro, por Kuzman nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Edhe pse tashmë Drejtoria për trashëgimi kulturore kishte paguar një herë për restaurimin e Universitetit, përsëri në 2012-tën kishte lidhur kontratë me kompani tjetër, Mitan Prom nga Ohri.
Kështu Pasko Kuzman me pagesën që ia ka bërë kompanisë kroate dhe mos aktivizimin e garancisë bankare, e ka dëmtuar buxhetin e shtetit, për gjysmë milion euro.

