Kallëzim i ri penal ndaj Jakimovskit: Dyshohet për ndërhyrje në lejet e ndërtimit
Departamenti për Kriminalitet Ekonomik dhe Korrupsion, në koordinim me SPB Shkup, ka paraqitur kallëzim penal ndaj tre personave, mes tyre edhe ish-kryetarit të Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski.
Sipas policisë, Jakimovski është personi i tretë i kallëzuar dhe dyshohet për veprën penale “punë të pandërgjegjshme në shërbim”, ndërsa dy zyrtare të Komunës së Karposhit akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Sipas njoftimit, zyrtaret kanë lëshuar leje ndërtimi për investitorë, edhe pse kanë qenë në dijeni se dokumentacioni urbanistik për lokacionin ishte shfuqizuar më herët nga Gjykata Kushtetuese.
Në një rast, më 23 korrik 2025 është lëshuar leje që investitorëve u ka mundësuar, sipas policisë, të fitojnë në mënyrë të kundërligjshme të drejtën për ndërtimin e një objekti me vlerë prej rreth 10.4 milionë denarësh.
Policia pretendon gjithashtu se janë lëshuar leje të tjera ndërtimi pavarësisht mangësive në dokumentacion dhe mospërputhjes së projekteve me planet urbanistike. Në një rast tjetër, bëhet fjalë për një objekt të evidentuar si “strehë”, i cili, sipas policisë, ishte vendosur në hapësirë publike dhe nuk ishte paraparë me planin urbanistik.
Hetimi është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Publike në Shkup, ndërsa kallëzimi penal është dorëzuar në këtë institucion për procedurë të mëtejshme.




