Nëse punimet për restaurimin e Kalasë së Artanës nuk përfundojnë para borës se parë, muret e saj do të rrafshohen me tokë. Gjithë kjo shkaku i dëmeve që i ka shkaktuar mureve të kalasë, kompania serbe “Koto”, duke i gërryer me eskavator, ani pse një gjë e tillë ndalohet me ligj. Kompania në fjalë është fituese e tenderit të UNESCO’së për restaurimin e këtij objekti. Express ka qëndruar sot gjatë ditës atje për të parë dëmet dhe ka biseduar me zyrtarë që merren me ruajtjen e këtyre objekteve dhe u sjell versionin e tyre për këtë rast.
Arjeta Shabani
Shirita që paralajmërojnë rrezik janë të vendosur rreth e rreth Kalasë së Artanës tash e katër ditë. Arsye për këtë ka qenë “rrënimi” i jashtëligjshëm i mureve të kalasë nga kompania që është e kontraktuar për restaurimin e këtij objekti nga UNESCO.
Kompania serbe “Koto”, të hënën ka gërryer muret e kalasë me ekskavatorë, ani pse një gjë e tillë nuk lejohet me ligj e as nuk parashihet në projekt. Kjo edhe ka qenë arsyeja që Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë urdhër për ndalimin e punimeve.
Drejtori i këtij instituti, Ismet Hajrullahu i ka thënë Gazetës Express se punimet janë ndalur të hënën me të marrë informatën se kompania po i rrënon muret me eskavatorë.
Hajrullahu thotë se kompania në fjalë që nga fillimi ka bërë vetëm skandale në këtë kala. Sipas tij, që nga 2015’ta janë gjetur numër i madh i artefaktesh në këtë kala, por se ato janë betonuar nga kjo kompani.
Ai thotë se nëse punimet për restaurimin e këtij objekti kulturor nuk kryhen deri para dimrit, atëherë muret e kalasë mund të rrëzohen tërësisht.
“Në mënyrë joprofesionale i kanë goditur dhe rrezikuar të gjitha muret e kalasë. Punimet që nga dita e hënë nuk janë duke vazhduar. Te hënën është bërë ndërhyrja me eskavatorë. Nuk e kane respektuar projektin që e kanë marrë për të realizuar restaurimin”, ka thënë Hajrullahu për Express.

Ai thotë se ka kërkuar nga UNSECO që të vijë dhe t’i shikojë dëmet që i ka shkaktuar kompania serbe nga pakujdesia. Madje, shton se do të kërkojë që të ndërpritet i gjithë bashkëpunimi me këtë kompani dhe të gjendet ndonjë kompani tjetër që merret me restaurim.
“UNESCO e ka prit me shqetësim dhe e ka dërguar projektuesin. S’kemi projekt se si do të shkojnë punët. Ishim bashkë me projektuesin që është nga Kroacia dhe sipas informacioneve dimri nuk guxon te na gjejë në këtë gjendje sepse do të bien muret e kalasë. Duhet të bëhet hidroizolimi i mureve të kalasë. Kam kërkuar që të ndërpriten punimet dhe bashkëpunimi sepse qe nga 2015 është shkelë ligji dhe janë bërë vepra penale”, tregon ai.

Për gjendjen e krijuar atje ka folur edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
Gashi i ka thënë Gazetës Express se nuk bëhet fjalë për rrënim të kalasë, por vetëm për ndërhyrje. Thotë se do të dalin me detaje pasi të kenë një raport.
“Nuk bëhet fjalë për rrënim, por për ndërhyrje. Tani ekipin e kemi atje, dhe posa të kemi një raport do të iu njoftojmë”, ka thënë Gashi për Express.

E pavarësisht se kompania për restaurimin e kësaj kalaje është kontraktuar nga UNSECO, nga këta të fundit ende nuk ka pasur ende ndonjë reagim.
Ndryshe, renovimi i Kalasë së Novobërdës ka nisur në vitin 2015. Për restaurimin e saj ishin ndarë 1.1 milionë euro nga Komisioni Evropian dhe ishte ndaluar hyrja për vizitorë për shkak të rrezikshmërisë.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Shkencë, Edukim e Kulturë (UNESCO), si menaxhuese e këtij fondi kishte kontraktuar kompaninë serbe me seli në Beograd “Koto” për kryerjen e punimeve dhe kompaninë “Omega Engineering” me seli në Dubrovnik për hartimin e projektit konservues e restaurues, si dhe për mbikëqyrjen e punimeve./Gazeta Express





