11 Janar
Osman Kadriu dhe Darko Konstadinovski do të jenë gjykatësit e ri të Gjykatës Kushtetuese. Ata do zënë vendin e Natasha Gaber dhe Gzime Starovës të cilëve u skadoi mandati në vitin që lamë pas. Të dy gjykatësit e rinj u propozuan nga Presidenti I shtetit Gjorgji Ivanov ndërsa sot ky propozim u miratua në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me 68 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Gjatë fjalimit të parë si gjykatës i kushtetueses, Osman Kadriu u përball me pyetjet e gazetarëve në lidhje me ligjin për përdorimin e gjuhëve që sot kaloi në Kuvend. Kadriu tha se e është i njoftuar me përmbajtjen e ligjit dhe se i njëjti është në vijë të drejtë me Kushtetutën dhe me normat Kushtetuese. Sipas Kadriut ky ligj nuk e barazon gjuhën shqipe me gjuhën maqedonase dhe për tu bërë një gjë e tille, ai thotë se nevojiten ndryshime kushtetuese.
Unë jam i informuar mirë për ligjin, e di mirë edhe përmbajtjen e tij, i di të gjitha intervenimet që janë bërë edhe në kohën e leximit të parë dhe edhe pas leximit të parë. Dhe tani pas miratimit të ligjit nga Parlamenti. Unë mendimin tim tani po e jap si një jurist pasi që e kam ndjekur të gjithë procesin, dhe vlerësoj se ky ligj është në vijë të drejtë me Kushtetutën dhe normat Kushtetuese pasi që çështja e gjuhës është lëndë kushtetuese dhe garantohet me Kushtetutë. Për çështje faktike, mendoj se prapë se prapë dhe ky propozim është në kuadër të normave kushtetuese por që të barazohet gjuha shqipe me gjuhën Maqedonase në nivel të shtetit dhe jashtë tij kërkon paraprakisht intervenim në Kushtetutën aktuale. Pa intervenim në Kushtetutën aktuale nuk mund të parashikohen dispozitat të cilët do të ishin në kundërshtim me vetë Kushtetutën – deklaroi Osman Kadrui, Gjykatës i Gjykatës Kushtetuese.
Alsat-M

