Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka thënë se nuk ekziston konsensus mes partive politike për votimin e kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
“Pranuam propozimin [e kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari] që të ishim në takim, që të deklaronim që kjo nuk ishte e drejtë. Zoti Dehari nuk ka të drejtë më të thërrasë deputetët apo partitë politike në konsultim”, ka thënë ajo në hollin e Kuvendit.
“Është obligim i mazhorancës t’i sigurojë 61 votat për Albulena Haxhiun. Nuk është obligim i asnjë partie tjetër ta votojë këtë mazhorancë dhe ta votojë kryetarin e Kuvendit”, është shprehur ajo.
“Pse e qesin Albulena Haxhiun përderisa nuk i sigurojnë 61 vota?”, ka thënë Kadrijaj, duke shtuar se “këto janë maskarada të Lëvizjes Vetëvendosje”.
Ajo ka thënë se Dehari duhet “ta thërrasë seancën dhe ta hedhë në votim – kjo është e gjithë puna e tij. Obligim për t’i siguruar votat i ka Qeveria”, ka pohuar ajo.
“Atë që po e përzien kjo parti [Lëvizja Vetëvendosje], zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit janë dy procedura të ndara. Nuk votohen në pako”, ka thënë Kadrijaj.
Deputetja e AAK-së ka thënë se partia e saj “do t’i përgjigjet seancës plenare”.
“Partia në pushtet duhet t’i sigurojë 61 vota… Nëse i kanë votat për Qeveri, pse s’i kanë për kryeparlamentar? Në këtë rast, bllokues, ta dinë qytetarët e Kosovës, është Lëvizja Vetëvendosje”, është shprehur ajo.