Lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadirov shprehu mbështetjen e tij për gatishmërinë e Rusisë për luftë me Evropën. Ai deklaroi se ushtrisë çeçene i duhet vetëm një urdhër nga Moska për të nisur një konflikt me Evropën, raporton agjencia ruse TASS.
“Sigurisht që nuk do të hezitojmë, Vladimir Vladimiroviç, po presim urdhër! Gjithçka do të përfundojë shumë shpejt dhe qartë jo në favor të atyre që vendosën të nisin një luftë me Rusinë. Kam një pyetje për ty, Vladimir Vladimiroviç: nëse gjithçka nis, a nuk do të ofendohesh nëse ata menjëherë kërkojnë falje vullnetarisht?”, shkroi Kadirov në kanalin e tij në Telegram.
Mediet analizojnë se gjatë një forumi investimesh në Moskë, Putini deklaroi se Rusia “nuk po përgatitet për luftë me Evropën”, por është “menjëherë e gatshme” nëse vendet evropiane nisin një konflikt. Ai shtoi se Evropa “duhet të jetë e vetëdijshme për pasojat” dhe përsëriti se “Perëndimi po kërcënon Rusinë”.
NATO reagoi ndaj deklaratave të Putinit. Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte, tha se aleanca është e përgatitur dhe e vendosur të mbrojë të gjitha vendet anëtare, duke theksuar se NATO nuk do të lejojë asnjë sulm ndaj territorit të saj. Reagime erdhën edhe nga disa vende evropiane, të cilat theksuan se nuk kanë plane për ndonjë konflikt me Rusinë dhe se deklaratat e Putinit janë të pabaza.
Ramzan Kadirov është lider i Çeçenisë që nga viti 2007 dhe një nga aleatët më besnikë të Putinit. Ai erdhi në pushtet pas atentatit ndaj babait të tij, Akhmat Kadirov, ish-president i Çeçenisë. Me kalimin e viteve, ai ka ndërtuar një aparat të fuqishëm sigurie dhe forca speciale të njohura si “Kadirovci”, të cilat janë nën komandën e tij të drejtpërdrejtë. Ai është i njohur për retorikën e tij agresive dhe për theksimin e besnikërisë absolute ndaj Moskës, përfshirë edhe dërgimin e mijëra luftëtarëve çeçenë në luftën në Ukrainë, shkruajnë mediet.


