Për ta shënuar 151-vjetorin e lindjes së Goce Dellçevit, në Kishën “Shën Spas”, mbërriti edhe delegacioni bullgar i kryesues nga zëvendëskryeministri dhe ministri teknik i Brendshëm, Ivan Demerxhiev. Pasi vendosi kurorë lulesh te varri i revolucionarit maqedonas, Demerxhievi në deklaratë për media reagoi për atë që qytetarët bullgarë të cilët në mënyrë të organizuar janë nisur te varri i Dellçevit, ishte dashur të prisnin në kufi për të hyrë në Maqedoni, për shkak se sistemi kishte rënë.
Demerxhiev tha se personalisht ka kërkuar nga Angel Xhambaski dhe Kostadin Kostadinov, të cilët vazhdimisht provokojnë vendin tonë me deklarata se Maqedonia është bullgare, të mos vijnë sot. Ai refuzoi të përgjigjet për provokimet e këtilla nga ana e tyre, ndërsa shtoi se ka kërkuar që kremtimi i sotëm të bëhet në mënyrë të përbashkët me delegacionin maqedonas, por kërkesa e tij u refuzua.
E mëngjesin e sotëm, situatë më e tensionuar ishte në kufirin bullgaro-maqedonas “Deve Bair”, ku u arrestuan tre shtetas bullgarë për shkak të prishjes së rendit publik, ofendimit dhe tentimit për të sulmuar fizikisht policët kufitarë maqedonas. Portalet bullgare përcjellin se këta shtetas janë rrahur nga policia jonë kufitare. I gjithë problemi u paraqit për shkak se sistemi i kontrollit “ka rënë”. Për këtë arsye qytetarët bullgarë të cilët në mënyrë të organizuar u nisën drejt varrit të Goce Dellçevit, u desh të prisnin më shumë kohë, pas çka filluan t’i ofendojnë policët.
– Nuk ka nevojë të bërtitni….
-Ka nevojë, sepse nuk kuptoni bullgarisht. Këtë që po e bëjnë bashkëqytetarët tuaj nuk është normale. Ne nuk jemi as të armatosur, nuk mbajmë as bomba dhe as nuk jemi afganë!
– Urdhëroni, hipni në automjetet tuaja.
-Përkundrazi, nuk hipim në makinë. Dëshironi ta largoj policinë? Ta largoj policinë?
-Mos bërtit!
-E çka do të më bësh?
-Tërhiqu mbrapa!
-Dua të shkoj në varrin e Goce Dellçevit, kurse ju këtu, ciganë, më bëni problem për të hyrë…
Atmosfera gjatë shënimit të sotëm të ditëlindjes së revolucionarit maqedonas, Goce Dellçev “u nxeh” dhe u shpall si ngjarje me rrezik të lartë sigurie, pasi paraprakisht politikanët bullgarë Angel Xhambaski dhe Kostadin Kostadinov në qendrën e Shkupit drejtuan një sërë provokimesh, duke thënë se Maqedonia është bullgare. Pas kësaj, ndodhi edhe rasti me rrahjen e sekretarit të Klubit bullgar në Ohër Hristijan Pendikov.