Suzana Joshevska Anastasovska, avokatja e ish-drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Adnan Xhaferovski, kritikoi ashpër Prokurorinë për rastin “Puls”, duke vlerësuar se aktakuza është e ndërtuar gabimisht dhe çon në kaos, në vend të drejtësisë së vërtetë, pëcjell TV21.
Në fjalimin e saj hyrës, Joshevska theksoi se aktakuza përzien emocionet me ligjin dhe përdor tragjedinë si mjet për ndjekje penale, pa u bazuar në fakte konkrete dhe kompetenca ligjore.
“Publiku po tërhiqet në një kaos që nuk buron nga faktet, por nga një kornizë e gabuar ligjor, që kthen një rast që kërkon drejtësi në një katalog masiv penal” tha ajo.
Avokatja nënvizoi se tragjedia kurrë nuk duhet të përdoret si instrument ligjor dhe se çdo fjalë në sallën e gjyqit ka kufij. Sipas saj, aktakuza i ngarkon përgjegjësi penale personave që nuk kanë kompetenca për ngjarjet që janë objekt i gjykimit, gjë që mund të çojë në vendime të padrejta.
“Nuk duhet të lejojmë që kjo aktakuzë të vazhdojë tragjedinë ose të krijojë viktima të reja. Teoria jonë bazohet në argumente ligjore, jo faktike, sepse klienti im nuk është përgjegjës penalisht për ngjarjet në ‘Puls’,” shtoi Joshevska.
Ajo theksoi se Xhaferovski, si drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ishte përgjegjës vetëm për funksione administrative dhe dokumente strategjike.
“Drejtësia ndërtohet mbi të vërtetën dhe faktet, jo mbi emocionet dhe dhimbjen kolektive. Nuk mund të lejojmë që një kualifikim i gabuar i veprimeve ta bëjë klientin tim fajtor për diçka për të cilën nuk mban përgjegjësi”, përfundoi Joshevska, duke bërë thirrje për një shqyrtim të kujdesshëm dhe objektiv të rastit.


