Me paraqitjen e tij në televizionin Kanal5, Ismet Ramadani tregoi se mbështetësit e lirisë së fjalës, argumentimit politik dhe debatit cilësor ende po luftojnë me të kaluarën, regresionin dhe censurën, thotë gazetari Destan Yonouzi në një prononcim për Civil Media, me rastin e incidentit të pakëndshëm në emisionin “Vetëm e vërteta” në Kanalin 5, në të cilin drejtori i televizionit, Ivan Mirçevski ndërhyri dhe fdëboi nga studioja të ftuarin – intelektualin dhe ekspertin e dalluar, Ismet Ramadani.
“Si një njeri paqedashës që beson në vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut, Ramadani ka dashur të shpjegojë në debatin televiziv tezën e tij për ndërtimin e një shteti të përbashkët, si dhe respektimin e dallimeve kulturore dhe etnike brenda shoqërisë. Teza e tij për “shqiptarët… shqiptarët…” ishte se nuk është e shëndetshme për vendin që të bëhen kualifikime të tilla dhe se të ardhmen e vendit duhet ta ndërtojmë së bashku pa paragjykime etnike. Ndërhyrja brutale e drejtorit të televizionit në një debat ku duhen përballur argumentet dhe nuk duhen përdorur metoda fashiste e përjashtuese, që veshi i tij të mos dëgjojë argumente të tjera përveç atyre që dëshiron të dëgjojë, tregon nivelin e kulturës së debatit dhe lirinë e fjalës”, thekson Jonuzi.
Ai thekson se emisionet e debatit janë për debat, nëse dikush do të kishte një tezë apo argument ndryshe nga ai i zotit Ramadani, mund ta rrëzonte me argumente, e jo të dilte si “zot” dhe të bënte thirrje për përjashtim në formë çiçane.
Udhëheqësi i debatit, nëse i referohemi profesionalizmit, nuk duhej ta lejonte drejtorin e tij të merrte pjesë, sepse ishte një mysafir i paftuar, thotë Jonuzi, duke lejuar të kuptohet që i paftuar në emison në këtë rast ishte drejtori i televizionit, Mirçevski.