Ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u shfaq për herë të parë publikisht këtë të premte, pas njoftimit të muajit të kaluar nga zyra e tij se është diagnostikuar me kancer agresiv të prostatës. Duke folur për gazetarët, Biden u shpreh optimist për gjendjen e tij shëndetësore.
“Parashikimi është i mirë. Po punojmë për gjithçka. Po ecën përpara, ndaj ndjehem mirë”, tha ai.
Biden bëri të ditur se tashmë ka përzgjedhur planin e trajtimit që do të ndjekë, duke përfshirë një kombinim ilaçesh. Sipas tij, kanceri nuk është përhapur në organe të tjera dhe as në kocka, dhe kjo i jep shpresë për një rikuperim të plotë.
“Jam mirë, edhe familja ime është optimiste”, shtoi ai, duke nënvizuar se ndiqet nga “një nga kirurgët më të mirë në botë”.
I pyetur për diskutimet publike që kanë lindur mbi aftësinë e tij mendore dhe fizike gjatë kohës që ishte në detyrë, Biden reagoi me humor:
“E shihni – jam i paaftë mendërisht dhe nuk mund të ec”, tha me ironi, duke buzëqeshur.
Për ata që e kundërshtuan kandidimin e tij: “Pse nuk dolën përballë meje?”
Në lidhje me zërat nga radhët e Partisë Demokratike që thonë se nuk duhet të kishte rikandiduar, Biden ishte i prerë:
“Pse nuk dolën kundër meje? Sepse do t’i kisha mundur,” u përgjigj ai, duke theksuar se nuk pendohet për vendimin për të kandiduar sërish.
Sipas tij, bota po kalon një periudhë kyçe:
“Jemi në një pikë kthese. Vendimet që do të marrim tani do të përcaktojnë se si do të jetë bota për 20 vitet e ardhshme,” tha ish-presidenti amerikan, duke u shprehur krenar për kontributin e tij gjatë presidencës.
Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, kishte kërkuar publikisht që ish-Zonja e Parë, Jill Biden, të fliste hapur për shëndetin e burrit të saj, duke e akuzuar se ka mashtruar opinionin publik.
I pyetur për këtë koment, Biden reagoi sërish me ironi:
“Nuk e di kush është ajo zëdhënëse,” tha ai me një buzëqeshje, për të sqaruar më pas se po bënte shaka – por shtoi me një nënqeshje se “mediat ndoshta do ta marrin fjalë për fjalë”.