Ministria aktualisht është duke realizuar hulumtim ku janë përfshirë të gjitha universitetet shtetërore dhe gjenerata e të diplomuarve në vitin akademik 2022/2023, për të parë nivelin e punësueshmërisë, gjegjësisht, nëse këta studentë tashmë janë punësuar dhe sa kohë pas diplomimit, nëse njohuritë dhe aftësitë e fituara janë të zbatueshme në vendin e tyre të punës, nëse janë të kënaqur me të ardhurat e tyre nga puna e tyre, etj. Kjo do të na ndihmojë të shohim më saktë se çfarë cilësie prodhojnë universitetet tona dhe çfarë duhet të ndryshojë.
Kështu theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska në eventin në Fakultetin Ekonomik në Shkup, ku u prezantuan rezultatet nga projekti “Skills4Justice”, i cili trajton çështje që kanë të bëjnë me migrimin e popullsisë, dhe zbatohet në kuadër të programit Horizon të Bashkimit Evropian.
„Hulumtimi do të na tregojë nëse nevojiten programe të reja studimore, nëse do të ishte mirë të futeshin studime ndërdisiplinore më shumë mësim me praktikë në fakultete të caktuara, ridefinimi i kuotave etj. Rezultatet do të jenë bazë e dobishme për krijimin e politikave të ardhshme të arsimit të lartë”, tha Janevska.
Ministrja informoi se është në proces të përgatitjes së Ligjit të ri për Arsimin e Lartë, i cili do të jetë bazë e mirë për vendosjen e themeleve të forta për arsimin e lartë. Ajo potencoi se po shqyrtohen mundësitë në ligj që në të ardhmen të përfshihet një masë për ofrimin e punësimit për studentët më të mirë të çdo gjenerate në universitetet publike dhe institucionet shkencore.
“Po përpiqemi të avancojmë cilësinë e arsimit, gjë që në të kaluarën shpesh ishte arsyeja që të rinjtë të largoheshin në vende të tjera në kërkim të mundësive më të mira arsimore. Do të bëjmë ndryshime të mëdha, por duhet bashkëpunim më i fortë me të gjitha palët e interesuara, ndërsa veçanërisht me universitetet dhe komunitetin e biznesit, të ndalojmë procesin e migrimit”, shtoi ministrja, duke theksuar se kjo është një sfidë e madhe, duke pasur parasysh se për gjatë shtatë viteve në vend ka pasur 17 mijë nxënës më pak ndërsa numri i studentëve është ulur për 7 mijë.