Arjon Hasaj, djali 29- vjeçar i familjes Hasa ka marrë përsipër krimin e rëndë të vrasjes së bashkëfshatarit të tij, Ramazan Mataj.
Ai ka përjashtuar nga organizimi i krimit të vëllanë, duke dëshmuar se gjithçka e organizoi dhe e kreu vetë. 29 vjeçari, i cili mësohet se është edhe baba i 4 fëmijëve, sipas policisë, ka dhënë edhe motivin, motiv që e ka çuar drejt vendimit ekstrem.
Në fakt, sipas rrëfimeve të tij, por edhe dëshmive të një sërë personash të tjerë, është mësuar se historia e lidhjes së viktimës me motrën e tij njihej prej vitesh në fshat. Por ajo që e ka detyruar Hasajn të kryejë vrasjen ka qenë një video intime e shpërndarë prej viktimës në disa persona, video, që sipas autorit të krimit, ia kishte dërguar edhe ish-bashkëshortit të motrës, në kohën që ajo ishte e martuar.
Djali i vogël i familjes Hasaj, Klismani, ka mohuar të ketë qenë në dijeni të planit që kishte kryer vëllai, ndonëse policia dhe grupi hetimor pretendojnë se kanë realizuar edhe përgjime ambientale.
Klismani, që ende nuk i ka mbushur 21 vjeç, dyshohet se e ndihmoi të vëllanë të fshihte armën, në fakt, ata dyshohet që armën e kanë sjellë në shtëpi për shkak të frikës së ndonjë hakmarrjeje nga pala e viktimës. Megjithatë, banorët e fshatit, kanë qenë në dijeni të gjithçkaje që ka ndodhur në familjen Hasaj, me të bijën e tyre, e cila është ndarë nga dy martesa dhe shkak dyshohet të ketë qenë lidhja me Ramazan Matajn.
DËSHMIA E AUTORIT
Teksa presin sot të dalin para Gjykatës së Shkodrës për t’u njohur me masën e sigurimit personal, dy djemtë e vetëm të familjes Hasaj kanë dëshmuar gjithçka për atentatin ndaj Ramazan Matajt. Sipas policisë mësohet se Arjon Hasaj ka pranua para hetuesve autorësinë e vrasjes së 33-vjeçarit Ramazan Mataj në fshatin Dragoç të Shkodrës më 5 janar 2025. 29-vjeçari tha se e vrau me breshëri kallashnikovi bashkëfshatarin brenda në makinë, pasi prej 6 vitesh Mataj kishte lidhje me motrën e tij dhe ishte bërë shkak për 2 divorce të saj.
“Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit. Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjerë ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë. Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish-burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën”- mësohet të ketë deklaruar Hasaj.
Më tej në dëshminë e tij Arjon Hasaj ka deklaruar edhe mënyrën se si kishte planifikuar ta vriste Matajn. Ai tregon se kishte hapur një profil të rremë në Instagram – me emrin e një vajze dhe më pas la takim me viktimën. Pas aktit të vrasjes, autori nënvizon se armën e fshehu dhe u largua me biçikletë drejt shtëpisë.
“Unë hapa një llogari false në Instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Mataj. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam pasur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër”, thuhet më tej në dëshminë e Hasajt.
Ndërsa vëllai i tij Klinsman Hasa nuk ka pranuar faktin se ka ndihmuar apo që ka pasur dijeni për vrasjen e kryer nga vëllai i tij.
“Nuk kam pasur asnjë dijeni për vrasjen që do kryente vëllai dhe nuk kam lidhje me atë ngjarje”, mësohet të ketë deklaruar Klisman Hasaj, vëllai i autorit./Gazeta Panorama