Një ditë pas vendimit të presidentit të shtetit, Gjorgje Ivanov për të refuzuar dorëzimin e mandatit për formimin e qeverisë, liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, Maqedoninë e vizitoi përfaqësuesja e lartë lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian, Federika Mogerini.
Vizita e saj me përfaqësuesit e gjitha partive politike parlamentare çuditërisht u realizua me një tryezë të përbashkët.
Pas takimit, për dallim nga diplomatja, Federika Mogerini e cila nuk foli para mediave, liderët e partive politike shpalosën qëndrimin e tyre, në përjashtim të liderit të VMRO-së, Nikolla Gruevskit.
“Vizita e përfaqësueses Mogerini paraqet mbështetje seirioze për perspektivat tona evropiane. Jemi të gëzuar që mbështetja vazhdon. Biseduam për takimet në Këshillin e Ministrave dhe më pas edhe Komisionit Evropian”, tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
67 nënshkrimet janë bazë normale për dhënien e mandatit, tha po ashtu Zaev, duke shtuar se Bashkimi Evropian pret që nëse pas formimit të Qeverisë zbatohen reformat do të ketë bazë të mirë të shpejtojë procesin integrues.
“Kriza politike patjetër të zgjidhet në përputhje me kushtetutën dhe ligjet. Porosia që kishim mbrëmë nga zoti Han dhe miqtë e tjerë nënkuptojnë sjellje miqësore ndaj Maqedonisë, cdo deklaratë ndryshe nuk mund të vlerësohet si dashamirëse. Edhe një herë përsëris dhënia e mandatit nuk nënkupton formim Qeverie por është rruga drejt formimit të Qeverisë. I shikojmë gjitha opsionet, por lëvizim në drejtim të respektimit të fazave të logjikshme dhe ligjore dhe mos ti japim askujt shkak që të bëjë çmenduri dhe budallallëqe”, tha Zaev, duke ritheksuar se zgjidhja sipas tij është që Ivanov t’ia jep mandatin.
Nga ana tjetër lideri i BDI-së, ka thënë se për 16 vite kanë punuar bashkë dhe çdo e arritur është e përbashkët me BE-në, NATO-n dhe SHBA-në.
“Ne kemi qenë, jemi dhe do mbetemi partner të komunitetit ndërkombëtar”, shkruan në “Facebook”, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit me Mogherinin, duke shtuar se kriza institucionale dhe sistemore nuk guxon të kthehet në krizë ndëretnike ku BDI do të mbeten të përkushtuar për të arritur zgjidhje politike.
“Sundimi i së drejtës, shteti ligjor, institucione të besueshme, përmbyllja e Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore si dhe integrimi në NATO dhe BE janë prioritete tona. Zonja Mogerini shprehu vlerësim për rolin dhe qasjen tonë konstruktive në këtë krizë të rëndë duke theksuar që Bashkimi Evropian është pranë nesh në përpjekjet për ta zgjidhur krizën, ndërsa theksoi nevojën për të vijuar dialogun tone”, shtoi Ahmeti.
Ndërsa kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami gjatë takimit me Mogerinin shprehi shqetësimin për kizën e thellë institucionale në të cilën gjendet Maqedonia. Ai mes tjerash tha se vizita e Mogerinit në momente të vështira të krizës politike, tregon qartë se BE është aleati kryesor i Maqedonisë.
“Të gjithë jemi dëshmitar se institucioni fundit legjitim i shtetit, dje ra, ndërkaq sot Maqedonia gjendet në një krizë të thellë institucionale, pasi që Parlamenti ende nuk e ka përmbyllur seancën konstituive. Vizita e Mogerinit tregon se Maqedonia nuk është e vetmuar, në këtë krizë të thellë të cilët na futën partitë politike prej qeverisjes VMRO-BDI, për periudhën 8 vjeçare të mbështetur mbi krimin, korrupsionin, kapjen e institucioneve etj. Ne vlerësojmë lartë përkrahjen e BE-së dhe besojmë se Maqedonia nuk është e vetme në këtë proces”, tha Kasami.
Ai premtoi se Lëvizja BESA do të vazhdojë ta përkrahë kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaevin, për të marrë mandatin për fillim të bisedimeve për formim të Qeverisë.
Sipas Kasamit, BDI-ja i dha alibi, presidentit Gjorge Ivanov të shtetit që të mos ia jep mandatin Zoran Zaevit.
“Kriza është e koordinuar nga dyshja VMRO-BDI, ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të gjitha forcat që duan t’i ndihmojnë Maqedonisë për anëtarësim në BE”, shtoi Kasami.
Në takimin me Mogerinin morrën pjesë edhe kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Këta dy, deklaratat e tyre i dhanë lidhur me vendimin skandaloz të presidentit Ivanov për mosdhënien e mandatit kreut të LSDM-së, Zoran Zaev.
Numri një i PDSH-së, Menduh Thaçi ftoi shqiptarët që të mos bien pre e provokimeve dhe skenarëve pasi situata mund të eskalojë në konflikt ndëretnik dhe kjo nuk ju shkon në interes as shqiptarëve, as Shqipërisë dhe as Kosovës.
Sela tha se deputetët shqiptarë janë një zë i të drejtave ndërsa të drejtat janë të qytetarëve. “Ndërsa nëse ne s’kemi të drejtë të jemi tutor të atyre që i përfaqësojmë, atëherë atë të drejtë aspak se ka ai që i thotë vetes President dhe ju them se ai nuk është asgjë përveç marionetë e kryetarit të tij Nikolla Gruevski”, theksoi Sela, pas takimit me Mogerinin.