Zjarret kanë shpërthyer në mënyrë të pakontrollueshme në tre provinca të Turqisë, ndërsa pesë fshatra dhe dy rrethe në Izmir janë evakuuar, tha më parë Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë Ibrahim Yumakli.
Ai theksoi se “beteja” me flakët vazhdon në Manisa dhe Hatay, pasi erërat e forta shkaktojnë rishfaqje të vazhdueshme.
Rexhep Tajip Erdogan, menjëherë pas mbledhjes së kabinetit, deklaroi se “që nga 1 qershori, janë regjistruar 1,516 zjarre në pyje, nga të cilat 1,507 janë vënë nën kontroll”, duke nënvizuar se pothuajse të gjitha janë për shkak të zjarrvënies së qëllimshme. Siç njoftoi ai, arrestimet për zjarrvënie deri më tani arrijnë në 31.
“Po luftojmë zjarret me një flotë prej 27 avionësh, 105 helikopterësh, 14 UAV-ësh, gati 6,000 automjete uji dhe automjete reagimi emergjent, si dhe 25,000 heronj pylli”, tha presidenti turk, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë vëmendje maksimale ndaj mbrojtjes së pyjeve gjatë dy muajve të ardhshëm.
Sipas transmetuesit turk NTV, katër zjarre në dy ditët e fundit në Izmir janë vënë nën kontroll, por shtatë fronte mbeten aktive, dy prej të cilave janë në Kula dhe Ahmetli në Manisa. Zjarret janë gjithashtu duke vazhduar në Adana.