Izet Mexhiti, kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, ka njoftuar fillimin e një projekti të rëndësishëm për rikonstruksionin dhe përmirësimin e infrastrukturës në këtë komunë.
“Sot nisemi me një nga projektet më të mëdha në Çairin e Vjetër: rikonstruksionin e dy kilometrave rrugë. Do të ndërtojmë trotuare të reja, rrugë më të sigurta dhe infrastrukturë moderne, me një investim prej 30.367.000 denarë,” tha Mexhiti.
Ai gjithashtu informoi se në mënyrë të paralel po realizohet edhe projekti për ndriçimin publik, me një vlerë prej 7.264.000 denarë.
“Ky projekt do të sjellë më shumë siguri dhe kushte më të mira për të gjithë banorët e komunës,” theksoi kandidati i VLEN-it për Çairin.
Sipas Mexhitit, ky është vetëm fillimi i një serie investimesh që do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e komunës.
“Qëllimi ynë është i qartë: investime të prekshme dhe përmirësim i jetës së përditshme të qytetarëve,” përfundoi ai.