Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Çairit, Izet Mexhiti, zhvilloi sot një takim me Forumin e Gruas të VLEN-it në Çairin e Vjetër, ku theksoi rolin e pazëvendësueshëm të grave në jetën shoqërore dhe politike.
Në fjalën e tij, Mexhiti vlerësoi kontributin e grave që, siç tha ai, “mbajnë mbi supe barrën e përditshme të jetës”, duke përfshirë kujdesin për familjen dhe përballjen me sfidat infrastrukturore, arsimore dhe institucionale në komunë. Por ai theksoi se, pavarësisht këtij angazhimi, gratë vazhdojnë të mbeten të padukshme në proceset vendimmarrëse.
“Kjo pabarazi nuk ndodh rastësisht. Është pasojë e një kulture politike që historikisht ka lënë jashtë zëra e perspektiva që i përkasin grave,” u shpreh Mexhiti, duke shtuar se pikërisht këto perspektiva janë thelbësore për një udhëheqje të drejtë dhe të ndershme në Çair.
Ai theksoi se përfshirja e grave në politikë nuk është vetëm një parim, por një angazhim konkret i tij dhe i platformës që përfaqëson.
“Kur gratë janë të pranishme në tryezën e vendimmarrjes, ndryshon gjithçka – prioritetet, mënyra e të menduarit dhe rezultatet për shoqërinë. Për mua, ky është angazhim: të ndërtojmë një Çair ku gratë jo vetëm dëgjohen, por edhe udhëheqin,” përfundoi kandidati i VLEN.
Mexhiti theksoi bindjen se vetëm një shoqëri ku gratë kanë hapësirën që meritojnë në politikë dhe institucione mund të ecë përpara me hapa të sigurt drejt një të ardhme të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.