Kandidati për Komunën e Çairit nga radhët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka zhvilluar sot një vizitë në terren për të ndjekur nga afër punimet në rrugën “Avram Pisevski” në lagjen Gazi Babë.
Në një njoftim publik, Mexhiti theksoi rëndësinë e këtij projekti për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, një investim i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Sipas tij, ky projekt është dëshmi se kur ka bashkëpunim dhe përkushtim institucional, rezultatet bëhen të dukshme.
“Falë këtij projekti, qytetarët do të kenë furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me ujë të pijshëm, duke përfituar nga një infrastrukturë moderne dhe një cilësi më e mirë jete për shumë vite në vijim,” deklaroi Mexhiti.
Ai gjithashtu nënvizoi qasjen aktive të ekipit të tij, duke theksuar se nuk mjaftohen me punën nga zyrat, por dalin në terren, dëgjojnë qytetarët dhe punojnë për të kthyer çdo premtim në rezultat konkret.
Ky projekt shihet si pjesë e planeve më të gjera për përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e standardit jetësor në zonat urbane të komunës.