Presidenti Gjorge Ivanov deklaroi se nuk ndjen përgjegjësi për zvarritjen e krizës dhe sfidat tjera me të cilat mund të ballafaqohet shteti nga kriza. Ai deklaroi sot se nuk do të lëvizë nga qëndrimet e tij dhe nuk do t’i mundësojë shumicës parlamentare që të formojnë Qeveri nëse nuk zgjidhen pengesat juridike dhe politike.
“Përderisa ato pengesa nuk largohen unë nuk mund të sjellë vendim i cili do të kontestohet. Nëse kontestohet një vendim i tillë, atëherë do të hapet çështja për përgjegjësinë time. Andaj kërkoj dhe insistoj që pengesa juridike dhe politike të largohen”, deklaroi Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov.
I pyetur nëse ndjenë përgjegjësi për pasojat e krizës, sidomos në planin ekonomik, Ivanov tha se ai i respekton praktikat që nga viti 1992 dhe Kushtetutën.
“Unë e respektoj Kushtetutën dhe praktikën e krijuar që nga vitit 1992. Këtë ia thashë edhe të gjithë përfaqësuesve të partive kur ishin në konsultime. Duhet të respektohet ajo që është në Kushtetutë dhe afatet e parashikuara në Kushtetutë dhe precedani i bërë në vitin 1992”, tha Ivanov.
Sipas Ivanovit, shkaktarë edhe për bllokimin e punës së Kuvendit dhe zgjedhjes së kryeparlamentarit është platforma e Tiranës sipas tij.
Mefail Ismaili /SHENJA/