Eurokomisioneri, Johannes Hahn, në profilin e tij në twitter ka shkruar se të gjithë liderët duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve të fundit si dhe inkurajuar kryetarin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov që të rishqyrtojë urgjentisht qëndrimin e tij.
‘Të gjithë liderët e vendit, përfshirë Presidentin, duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve të fundit+të pranojnë shumicën parlamentare’
“All leaders of the country, includ. the President, must respect outcome of recent elections+acknowledge parliamentary majorities.” 1/2
— Johannes Hahn (@JHahnEU) March 21, 2017
‘Ne inkurajojmë Presidentin të rishqyrtojë pozicionin e tij urgjentisht. Formimi i shpejtë i koalicionit të ri, është e vetmja mënyrë të kthehet në rrugën e #BE’, 2/2 shkruan Hahn në Twitter.
Për presidentin, Gjorge Ivanov, protestuesit e të ashtuquajturës iniciativa qytetare “Për Maqedoni të Përbashkët” të udhëhequr nga njerëz të eksponuar të VMRO-DPMNE-së për të protestuar kundër Platformës Shqiptare, janë “populli që e mbron shtetin”, ndërkaq protestuesit e “Revolucionit Laraman” të cilët u ngritën në këmbë për të mos u aboluar të dyshuarit për krime të rënda, “janë persona të cilët punojnë për interesat e huaja”, ky ishte vlerësimi i Presidentit Ivanov për protestat e organizuar vit më parë kundër vendimit të tij për të aboluar mbi 56 ish funksionarë të VMRO-DPMNE-së.
Ai në intervistën me kryeredaktorët e televizioneve të Maqedonisë, tha se nuk duhet të shfrytëzohen rrugët kur ka Kushtetutë, ndërkaq ata të cilët protestojnë nuk i pranojnë institucionet.
“Për atë kemi Kushtetutë, ligje dhe institucione që gjithçka të zgjidhet në korniza të tyre. Pse rrugën? Kjo do të thotë se Kushtetuta nuk ekziston? Institucionet nuk ekzistojnë? Çdokush mund të dorëzojë akt, iniciativë, çdokush mund të ngrit çfarëdo në këtë shtet. Pse shfrytëzohet rruga? Kush e shfrytëzon rrugën? Ata që nuk i pranojnë institucionet dhe duan që Maqedoninë ta shkelin, ta bëjnë shtet jo-funksional që t’u arsyetojnë disa qëllime tjera të cilat thonë se Maqedonia nuk meriton të ketë shtet. A janë të vetëdijshëm se për çfarë interesash punojnë dhe qëllimet e kujt i realizojnë? Nuk gjykoj, them, të rinjtë lehtë mashtrohen, por ku është përgjegjësia e prindërve të tyre, miqve dhe të afërmve?”, tha Ivanov më 14 prill të vitit 2016.
Qëndrimi i Ivanovit për “shprehjen e revoltës në rrugë”, sot është krejt ndryshe, ata të cilët protestojnë janë “qytetarë të cilët e mbrojnë interesin e shtetit nga të huajt”. Ky qëndrim, është po i njëjti me atë të bashkëpartiakut dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili për protestuesit thoshte se “janë të shitur dhe punojnë për interesa të huaja”.
Ivanov, dje e refuzoi takimin me eurokomesarin për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han, duke thënë se “terminin e paraparë u lë përfaqësuesve të iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, të cilët kërkuan takim me Hanin, megjithatë ky i fundit i refuzoi protestuesit.
“Mirë është që eurokomesari të njoftohet me argumentet dhe arsyet se pse qytetarët e Maqedonisë protestojnë më shumë se njëzet ditë”, thonë nga kabineti i presidentit”, tha Ivanov.
Ivanov me Gruevskin, “s’e kanë të njëjtë qëndrimin vetëm për shprehjen e revoltës në rrugë”, ata gjithashtu njëjtë mendojnë edhe për atë se “duhet të hidhet poshtë Platforma Shqiptare”, por edhe se “duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare”.

