05 May
Procesi i formimit të Qeverisë së re mbetet i paqartë për aq kohë sa nga Kabineti i Presidentit Gjorge Ivanov, nuk japin detaje për afatet dhe as nëse Presidenti është i gatshëm të japë mandatin. Në pyetjet e Televizionit Alsat, dërguar Kabinetit të Ivanovit, për llogaritjen e afatit kushtetues dhjetëditor, përgjigja ishte e shkurtër dhe jo konkrete.
Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, do të veprojë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe në interes të shtetit dhe qytetarëve të Maqedonisë – njoftuan nga Kabineti i presidentit Ivanov.
Nga Kabineti nuk konfirmojnë megjithatë jozyrtarisht mësohet se Presidenti ndodhet në vizitë private në Turqi. Sipas Kushtetutës, dhjetë ditshi për dhënien e mandatit nga ana e presidentit fillon të rrjedhë ditën e konstituimit të Kuvendit.
“Presidenti i Republikës së Maqedonisë është i obliguar që në afat prej dhjetë ditësh nga konstituimi i Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë të ja japë kandidatit të partisë, gjegjësisht partive që kanë shumicë në Kuvend”, theksohet në Kushtetutë.
Procesi i konstituimit të Kuvendit llogaritet i përfunduar me zgjedhjen e kryetarit të ri, gjë e cila ndodhi të enjten e kaluar, më 27 prill dhe u shoqërua me dhunë dhe trazira. Zyrtarisht, Xhaferi mori Kabinetin, vulat dhe stenogramet ditën e mërkurë, më 3 maj, kurse vendimi për zgjedhjen e tij, në Gazetën Zyrtare pritet që të shpallet të hënën e ardhshme, gjegjësisht më 8 maj. Se si do të llogaritet afati Kushtetues dhjetëditor mbetet e paqartë edhe për LSDM-në dhe mandatarin potencial Zoran Zaev. Nga kjo parti bëjnë thirrje për maturi politike nga të gjithë aktorëve politik.
Bëjmë thirrje për pjekuri nga të gjithë subjektet politike, institucionet, të punësuarit dhe individët, sipas detyrimeve ligjore, përgjegjësisë individuale dhe interesave shtetërore, të mundësohet formimi i Qeverisë së re. Letra e Kryetarit të ri të Kuvendit, Talat Xhaferi, deri te Presidenti Ivanov është detyrim për Ivanovin që t’i vendosë mënjanë interesat personale për ikjen e Nikolla Gruevskit nga drejtësia dhe të veprojë sipas detyrimeve kushtetuese ndaj qytetarëve – thanë nga LSDM-ja.
Sipas LSDM-së, çdo pengesë e transferimit të pushtetit dhe çdo veprim joligjor do të dënohet sipas ligjeve ekzistuese. Presidenti Ivanov në janar i dha mandatin kreun të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski pa pasur shumicë parlamentare kurse një muaj më vonë, me arsyen e rrezikimit të interesave shtetërore, refuzoi t’i japë mandatin kreut të LSDM-së Zoran Zaev edhe pas dorëzimit të nënshkrimeve të 67 deputetëve.
Fatlume Dervishi