Presidenti i vendit Gjorgje Ivanov kërkon zhbllokim të integrimeve të Maqedonisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ivanov këtë kërkesë e ka shprehur gjatë takimit që ka realizuar sot në Bruksel me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk. Pas këtij takimi, ai tha se ka kërkuar impuls të ri dhe porosi pozitive në drejtim në zhbllokimit të integrimit të vendit në BE dhe fillim të negociatave qasëse për anëtarësim.
“U diskutuan shumë tema për ardhmërinë evropiane të Maqedonisë, situata në rajon dhe kriza e migrantëve, por edhe për shqetësimin tonë për situatat në BE, përkatësisht ajo çfarë po ndodhë kohëve të fundit në Union, siç është rasti me Breksitin, ngjarjet në Kataloni dhe trazira që ekziston në BE për marrjen e të drejtave më të mëdha në nivel lokal”, ka thënë Gjorge Ivanov.
Përveç ardhmërisë evropiane të vendit, në këtë takim është diskutuar edhe për krizën e migrantëve. I pyetur nëse BE dhe Maqedonia presin valë të re të migrantëve përmes rutës së Ballkanit Perëndimor, Ivanov ka thënë se frika ka ekzistuar në vitin 2015, ndërsa tanimë 27 muaj vendi ka përforcuar masat e sigurisë në kufi. Ai po ashtu ka përsëritur qëndrimin e mëhershëm se shteti ka kapacitet për 2000 refugjatë që kalojnë tranzit.
“Kapaciteti ynë është vetëm për tranzitim por, sërish, varet se si do të përcaktohet Qeveria e re. Varet se si do të sillemi si shtet dhe çfarë vendime do të merr Qeveria e re e Maqedonisë. Ajo është pyetje që duhet t’i drejtohet Qeverisë së re.Ne çdoherë kemi këmbëngulur se ka refugjatë që u nevojitet ndihmë dhe mbështetje. Atyre njerëzve u nevojitet edhe ndihmë humanitare, sepse nuk kanë shtëpi, u janë shkatërruar vendbanimet dhe ata janë refugjatë”, ka shtuar ai.
Në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, Ivanov do të merr pjesë edhe në forumin në Kran Montata si dhe do të takojë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Belgjikës, Didie Rejnders.
Teuta Buçi /SHENJA/

