Presidenti Gjorge Ivanov në pajtim me kompetencat e tij kushtetuese deri në fund të javës në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë do të parashtrojë propozime për zgjedhje të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, konfirmuan për MIA-n nga kabineti i shefit të shtetit.
Propozimet, siç paralajmëroi paraprakisht kabineti i presidentit Ivanov, do të dorëzohen pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. KSHZ-ja sot edhe zyrtarisht publikoi se zgjedhjet kanë përfunduar me çka u hap mundësia që të dorëzohen propozimet për gjykatës kushtetues.
Tash për tash nuk ka kandidat të propozuar edhe për vendin e tretë të zbrazët, i cili duhet të plotësohet me propozim të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
Nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit të RM-së thonë se janë në komunikim me kabinetin e presidentit Ivanov dhe i presin emrat e propozim kandidatëve për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese.
Presidenti Ivanov duhet të propozojë kandidatë të cilët do të vijnë në vendin e gjykatësve Natasha Gaber Damjanovska dhe Gzime Starova, të cilëve mandati u ka përfunduar në tetor të këtij viti. Ata janë zgjedhur për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese me propozim të presidentit Branko Cërvenkovski në vitin 2008.
Gjykata momentalisht punon pa tre gjykatës. Krahas Gaber Damjanovska dhe Starovës, mandati në gusht të këtij viti i ka përfunduar edhe Ismail Dardhishtës, i cili në vitin 2008 u zgjodh me propozim të Komisionit kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve.
Kryetari dhe Këshilli kuvendor propozojnë nga dy gjykatës, Kuvendi pesë
Gjykatën Kushtetuese e përbëjnë nëntë gjykatës. Sipas Kushtetutës, dy gjykatës të Gjykatës Kushtetuese propozon presidenti i Republikës së Maqedonisë. Këshilli gjyqësor propozon dy kandidatë nga radhët e gjykatësve. Konform përcaktimit kushtetues me Amendamentin XV nga Kushtetuta, Kuvendi zgjedh pesë gjykatës, ndërsa tre me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, me ç’rast duhet të ketë shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, të cilët i takojnë komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë.
Gjykatësit kushtetues me mandat nëntëvjeçar, pa të drejtë të zgjedhjes së sërishme
Gjykatësit i zgjedh Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me mandat prej nëntë vjetëve pa të drejtë të zgjedhjes së sërishme. Kryetari i Gjykatës zgjidhet nga radhët e gjykatësve për kohëzgjatje prej tre vjetëve, pa të drejtë të zgjedhjes së sërishme.
Funksioni gjykatës i Gjykatës Kushtetuese është i papajtueshëm me kryerjen e një funksioni tjetër publik, profesioni ose anëtarësim në partinë politike. Gjykatësit gëzojnë imunitet si dhe deputetët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Për imunitetin e gjykatësve vendosin Gjykata në procedurë të parashikuar me Rregulloren gjyqësore.
Për marrje të vendimit fuqiplotë të domosdoshëm të paktën gjashtë gjykatës
Gjykata Kushtetuese punët në kompetencë të saj i kryen në seancë në përbërje të plotë, ndërsa vendimet i merr me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i gjykatësve.
Që të punojë në mënyrë të plotfuqishme, Gjykata Kushtetuese duhet të ketë të paktën gjashtë gjykatës. Po qe se për ndonjë vendim nuk ka shumicë votimi rreth kësaj pike lihet derisa nuk krijohet kuorum.
Para marrjes së vendimit në seancat e rregullta, Gjykata mund të mbajë seanca përgatitore dhe bisedime konsultative.
Gjykata organizon debate publike nëse vlerëson se kjo është e nevojshme, përveç në raste të marrjes së vendimit për kërkesë për mbrojtje të të drejtave individuale, kur vendimin e merr sipas rregullit në bazë të debatit publik.
Rreth çështjeve nga sfera e organizimit të brendshëm dhe mënyrës së punës, Gjykata formon komisione të përhershme dhe të përkohshme.
Punët profesionale Gjykata i kryen përmes organizimit të detyrës speciale profesionale.