Nga Baku i Azerbajxhanit, Ivanov ka akuzuar ndërkombëtarët se kanë standarde të dyfishta sa i përket Maqedonisë.
Standardet e dyfishta të rendit liberal neve na e kontestuan të drejtën e identitetit, por edhe të drejtën e prosperitetit, tha Ivanov në fjalimin e tij në Forumin e pestë global të Sigurisë. Rendi është në krizë, tha Ivanov, duke shtuar se tani është momenti i definimit të historisë.
“Maqedonia është vendi i vetëm që në OKB nuk ka të drejtë për identitet personal. I kontestohet e drejta e vetidentifikimit, e drejta themelore e secilit individ dhe të çdo shteti në rendin ndërkombëtar. Maqedonisë i është shkurtuar e drejta e prosperitetit. Ju bllokohen integrimet në NATO dhe eurointegrime. Këtë e tregon dyfytyrësia e këtij rendi ndërkombëtar me dy standarde. Në këtë rast Maqedonia po kolabon në rendin botëror dhe atë ndërkombëtar.
Në kushte të krizës, ka vetëm dy ide të cilat mund t’i mobilizojnë njerëzit, shpresa dhe frika. Sot, shpresa është gjithnjë e më e rrallë. Sa më pak shpresë, aq më shumë frikë”,- deklaroi presidenti i RM-së, Gjorgje Ivanov.
Duke folur për Europën, Ivanov theksoi se e ardhmja e saj duhet të shihet si periudhë e transformimit dhe përgatitjes për sfidat në mijëvjeçarin e tretë.