Një kompani e teknologjisë së informacionit (IT) nga Shkupi, e cila prezantohet si lider në Maqedoni, që nga viti 2021 ka diskriminuar dhe viktimizuar një punonjës me autizëm përmes dhunës emocionale dhe verbale, e cila përfshin tallje, poshtërim, nënçmim, fyerje, përgojim, shpifje dhe kërcënime nga disa kolegë e kolege. Kështu thuhet në vendimin e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD). Vendimet e Komisionit anonimizohen për të mbrojtur identitetin e personave që paraqesin ankesa.
Pas një hetimi gjithëpërfshirës, KPMD-ja konstatoi diskriminim të rëndë për shkak të perceptimit, mbi bazën e gjendjes shëndetësore, në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës. Diskriminimi u krye nga kompania IT, e cila gjithashtu e pushoi nga puna ankuesin. Pushimi nga puna ndodhi pasi ai kishte paraqitur ankesën.
Komisioni konstatoi gjithashtu viktimizim në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës nga ana e kompanisë, para se personit me autizëm t’i dorëzohej vendimi për pushim nga puna.
Në ankesën e tij, punonjësi deklaron se numri i përgjithshëm i incidenteve ndaj tij në kompani arrin në qindra. Për këtë arsye, ankesa trajton prirjen e përgjithshme të dhunës psikologjike ndër vite dhe kulturën e mobingut që, sipas pretendimeve të tij, kultivohet në kompani.
Ai konsideron se shkaku kryesor i përmasave dhe kohëzgjatjes së dhunës psikologjike që ka përjetuar, si dhe i paaftësisë së drejtuesve për ta zgjidhur problemin, lidhet me faktin se ai është person në spektrin e autizmit të shkallës së parë, pa aftësi të kufizuara verbale apo intelektuale. Ai ka diagnozën e sindromës Asperger, e cila tashmë është hequr nga klasifikimet përkatëse, por ende përdoret në Maqedoni.
Si shembujt më të fundit të sjelljes çnjerëzore të kolegëve ndaj tij, punonjësi përmend rastet e mëposhtme:
Më 14 janar, ndërsa po kryente inventarizimin e aseteve fikse në njërën prej zyrave, detyrë të cilën e kishte kryer për tre vjet dhe për të cilën kishte marrë lavdërime dhe shpërblime financiare në pagë, një kolege i tha drejtpërdrejt se e nervozonte, sepse çdo vit kërkonte të njëjtat asete. Sipas tij, kjo është pikërisht arsyeja pse inventarizimi kryhet çdo vit. Ajo gjithashtu i drejtoi disa komente sarkastike lidhur me këtë detyrë.
“Bëhet fjalë për të njëjtën kolege, e cila në prill të vitit 2023, kur më takoi në korridor me një dosje në dorë, më tha: ‘Ta dish se sa shumë më vjen ta përplas atë në hundë!’”
Gjithashtu, para se ta paraqiste ankesën në Komisionin për Diskriminim, ndërsa po pinte kafe në bufenë e kompanisë, një kolege dhe një koleg nga një kompani bijë po diskutonin në praninë e tij se ai ishte jonormal. Biseda, sipas ankuesit, ishte nxitur nga një reagim i tij në punë në qershor të vitit të kaluar, të cilin ai e lidh me dhunën e vazhdueshme psikologjike nga një kolege tjetër.
Ata janë tallur dhe janë sjellë në mënyrë poshtëruese ndaj tij, pa marrë parasysh se ai ka vështirësi në komunikim dhe aftësi nën mesataren për t’u mbrojtur.
Punonjësi me autizëm kishte raportuar incidentet te punëdhënësi, por ky i fundit nuk kishte marrë masa të forta dhe nuk i kishte siguruar një mjedis të sigurt pune. Disa raste të keqtrajtimit kishin pushuar dhe disa kolegë kishin ndaluar së ushtruari mobing ndaj tij, por incidentet vazhdonin. Për këtë arsye, ankesa u paraqit kundër punëdhënësit dhe jo kundër ndonjë punonjësi të caktuar.
Ankuesi pretendon se në kompani mbizotëron një kulturë diskriminimi ndaj personave neurodivergjentë, si pasojë e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe ndërgjegjësimit jashtëzakonisht të ulët për neurodivergjencën, veçanërisht për spektrin e autizmit.
Në vitin 2025, një kolege, specialiste e së drejtës, kishte propozuar që pas incidenteve ndaj kolegut me autizëm të organizohej trajnim për punonjësit, por propozimi ishte refuzuar. Ai shpreh keqardhje që u humb mundësia që kolegët të mësonin se ai ishte autik dhe të kuptonin pse dukej ndryshe dhe pse nuk reagonte ndaj shakave. Ai madje kishte propozuar që trajnimi të mbahej me shpenzimet e tij.
Në vend të kësaj, atij i ishte thënë se duhej të përshtatej me kushtet e punës në kompani dhe, sa të mundej, të fshihte faktin se ishte person me autizëm. Gjithashtu, gojarisht i ishte thënë të mos këmbëngulte tepër, sepse mund ta zemëronte drejtorin e përgjithshëm.
Nga ana tjetër, kompania IT i kishte deklaruar KPMD-së se punonjësi nuk kishte raportuar kurrë me shkrim ngacmime dhe keqtrajtime dhe se personat e thirrur për të dhënë deklarata nuk kishin pranuar se e kishin diskriminuar apo ngacmuar. Përkundrazi, ata e kishin përshkruar si koleg të vlerësuar, punëtor dhe profesional, por të tërhequr.
Megjithëse drejtuesit e kompanisë pretendonin para Komisionit se askush nuk e dinte që ai ishte autik dhe se ai nuk kishte raportuar kurrë me shkrim për incidentet, gjatë një takimi punonjësi paraqiti prova shtesë për ankesa të dorëzuara që nga viti 2022.
Siç ndodh shpesh në sektorin privat në Maqedoni, sipas tekstit, pas paraqitjes së ankesës në janar, ai u bë edhe viktimë e hakmarrjes. Fillimisht iu kufizua qasja në burimet e kompanisë, ndërsa në mars u pushua nga puna.
Kompania e arsyetoi pushimin nga puna para KPMD-së me pretendimin se ai ishte bërë në përputhje me ligjin dhe se vendi i punës po shuhej për shkak të optimizimit të kompanisë.
Pasi kompania refuzoi të tregonte nëse nga ky proces optimizimi ishin pushuar edhe punonjës të tjerë, Komisioni verifikoi të dhënat në Agjencinë e Punësimit dhe konstatoi se vetëm ankuesit i ishte dorëzuar vendimi për pushim nga puna.
Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi rekomandoi që kompania IT ta rikthejë punonjësin e diskriminuar në punë, përkatësisht të lidhë me të kontratë pune me kohë të pacaktuar, siç kishte qenë para paraqitjes së ankesës dhe pushimit nga puna.
Kompania duhet ta zbatojë këtë rekomandim brenda 30 ditëve nga marrja e mendimit të Komisionit dhe ta njoftojë atë për veprimet e ndërmarra.
Gjithashtu, kompania rekomandohet të krijojë një mekanizëm efektiv për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi në vendin e punës, përmes miratimit të akteve të brendshme që garantojnë trajtim të barabartë për të gjithë punonjësit. Edhe për këtë masë duhet ta njoftojë Komisionin brenda të njëjtit afat.
Nëse kompania nuk vepron sipas rekomandimeve, Komisioni do ta raportojë atë pranë gjykatës kompetente.
Një vendim i mundshëm gjyqësor në favor të punonjësit me autizëm, i cili pretendon se është diskriminuar dhe viktimizuar pasi raportoi keqtrajtimin, do të përbënte një argument të rëndësishëm në procedurat e mëtejshme gjyqësore kundër kompanisë, si në gjykatat vendore, ashtu edhe në Strasburg.



