Aktivisti i njohur nga Gostivari, Dritan Ismaili, e ka përshendetur daljen në publik të Arben Taravarit duke guxuar të thotë se “Menduam kështu, por nuk e realizuam siç e kishim menduar, doli ndryshe.”
Më poshtë shkrimi i Ismailit:
E provuam, por nuk na doli mirë.
Është për t’u përshëndetur dhe respektuar dalja në publik e Arben Taravarit. Në këta 30 vitet e fundit, nuk ka pasur një kryetar partie që të dalë në TV dhe të marrë guximin të thotë: “Menduam kështu, por nuk e realizuam siç e kishim menduar, doli ndryshe.”
Një prej problemeve kryesore qëndron, sipas mendimit tim, në faktin se çdo person që merr një post shtetëror, së pari, duhet të kuptojë se ai përfaqëson shtetin dhe institucionet, pastaj përfaqëson popullin dhe duhet të dijë obligimet që ka marrë mbi vete.
Gjithashtu, edhe kabinetet e ministrave duhet të jenë të vetëdijshëm se ata përfaqësojnë të njëjtat institucione, përveçse ministrin, të cilin gjithashtu e përfaqësojnë.
Institucionet nuk mbahen me militantë partiakë që marrin paga, hanë dreka dhe sillen si kabadistë nëpër kabinete. Duhet të merren njerëzit që e respektojnë punën, e dinë punën dhe janë të gatshëm të ecin përpara.
Mjaft me matrapazllëqe! Politikat e deritanishme duhet të ndryshojnë. Është koha të kthjellim mendimet dhe të veprojmë një herë e përgjithmonë.