Mungesën e derivateve në disa pompa të benzinës zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi e arsyeton me rritjen e konsumit gjatë fundjavës dhe jo si pasojë e keqpërdorimeve eventuale nga ana e pompave të benzinës. Ai mbrëmë në Click Plus tha se janë shitur 200 tonë naftë vetëm këtë fundjavë, derisa shitja e zakonshme arrin deri në 40 tonë.
TV21 pyeti në Inspektoratin e Tregut nëse janë konstatuar deri më tani shkelje eventuale gjatë fundjavës? Thonë se që në momentin e parë që kanë qarkulluar zëra për keqpërdorime eventuale inspektorët kanë dalë në terren por nuk është konstatuar asnjë shkelje.
“Gjatë kontrolleve, inspektorët e tregut kanë monitoruar sasinë e stoqeve të karburanteve dhe është konstatuar se konsumatorët, për shkak të rritjes së kërkesës për karburant, i kanë sjellë tregtarët e karburanteve në situatë të zbrazjes së shpejtë të rezervuarëve të tyre. Kontrolli bëhet në mënyrë që kontrollohet si në sistemin elektronik “Sonda” ashtu edhe fizikisht në vetë rezervuarët. Në të njëjtën kohë, u konstatua se rezervuarët e tregtarëve individualë të karburanteve-pompat e karburanteve janë duke u rimbushur vazhdimisht”, njoftojnë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.