Me votën e këshilltarit nga partia Socialiste, Ilija Pejoski, i cili paraprakisht ishte pjesë e listës së këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, BDI-ja dhe e LSDM-ja siguruan shumicën dhe emëruan kryetarin e Këshillit në komunën e Strugës.
Në katër vitet e ardhshme, ky post do t’i takojë këshilltarit të BDI-së, Resul Kaba, edhe pse shumica deri para një dite qëndronte pezull. Për momentin si opozitë do të veprojnë dhjetë këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa si dhe tre këshilltarët e VMRO-DPMNE-së. Jozyrtarisht, LSDM si pjesë e ndarjes së kulaçit lokal me BDI-në, do t’i fitojnë postin sekretar në këtë komunë dhe postin e drejtorit në njërën nga ndërmarrjet publike, sipas të gjitha gjasave ndërmarrjen publike komunale.
“Në të ardhmen do të veproj si parti socialiste. Unë jam në koalicion me VMRO-DPMJNE-në, por do t’i mbështes të gjitha projektet e mira që janë në interes të qytetit tonë dhe fshatrave tona. Çdo projekt dhe propozim të mitë, unë do ta mbështes pa marrë parasysh a është nga LSDM apo BDI”, tha Ilija Pejoski, këshilltar i Partisë Socialiste.