Kryetari i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka folur për media pas Kuvendit Zgjedhor të LDK-së.
Ai është shprehur se demokracia në LDK është më ndryshe, duke vlerësuar se procesi është kryer me sukses.
“Në LDK demokracia është më e rëndë sesa në partitë e tjera, të harmonizojmë kërkesat e shumta, të shohim shumë vërejtje e sugjerime. Vlerësoj se ky proces është kryer me sukses, qëllimi i këtij procesi ka qenë që LDK-ja të forcohet edhe më shumë, të inkuadrohen njerëz të rinj”, tha Mustafa.
Më tutje, Mustafa u shpreh se kanë pasuruar LDK-në nga pikëpamja gjinore dhe e moshës e si synim e kanë qeverisjen e vendit.
“Kemi dashur të pasurojmë LDK-në edhe në pikëpamje gjinore edhe të moshës dhe kemi synim qeverisjen e vendit dhe të qëndrojmë të parët”, tha Mustafa.
Mustafa ka ftuar partitë politike të garojnë të vetme në zgjedhje.
“Sot e përfunduam një proces e nesër do të fillojmë një proces tjetër, ku sot kam bërë ftesë publike të gjitha partive politike që të hyjmë në zgjedhje të gjitha të vetme ku pastaj të na bashkojnë programet politike..Mund të ju siguroj se procesi ka qenë demokratik, i hapur dhe çdonjëri e ka pasur mundësinë të vijë, të kandidojë edhe sot edhe në proceset nëpër degë”, tha Mustafa. /Lajmi.net/