Anëtari i këshillit në PD, Akil Kraja ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka komentuar shifrat e publikuara nga Organizata ndërkombëtare e emigracionit për vendin tonë.Sipas këtyre të dhënave rezulton se Shqipëria është renditur ndër dy vendet që është prekur më shumë nga emigracioni, në raport me popullsinë.
Kraja shprehet se “Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin rendit si arsye normat e larta të varfërisë, diferencat e pagave midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, korrupsionin dhe klientelizmin e konsiderueshëm që kanë ndikuar në vendimet e njerëzve për t’u larguar nga vendi”.
Ndër të tjera shprehet se rruga e vetme për të shmangur largimin e shqiptarëve është qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira.
Deklarata e plotë:
Alarmin e përsëritur të opozitës, mbështetur në shifra të Eurostat, e konfirmon edhe një organizatë tjetër ndërkombëtare. Shqipëria është një nga dy vendet më të goditura në Europë nga niveli i lartë i emigracionit në raport me popullsinë, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin dhe raportit global të saj për vitin 2024.
Simotra e Shqipërisë në këtë fatkeqësi kombëtare është ish-republika sovjetike e Moldavisë e cila referohet tradicionalisht në të gjitha buletinet ndërkombëtare si vendi më i varfër në Europë.
Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin rendit si arsye normat e larta të varfërisë, diferencat e pagave midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, korrupsionin dhe klientelizmin e konsiderueshëm që kanë ndikuar në vendimet e njerëzve për t’u larguar nga vendi.
“Rreth 40% e fuqisë punëtore të Shqipërisë vlerësohet të jetë duke punuar jashtë vendit, duke kontribuar në ikjen e trurit, duke ushtruar presion mbi industritë dhe ekonomitë vendase që vazhdimisht humbasin punëtorë si në sektorët me kualifikim të ulët, ashtu edhe në atë të lartë”, thuhet ne raportin e IOM.
IOM vë në dukje se mijëra të rinj shqiptarë kanë bërë udhëtime të vështira për të arritur në Britaninë e Madhe, ku shumë prej tyre rrezikojnë jetën duke kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla ose me gomone.
Ky raport është vetëm mina e radhës në fushën e propagandës së qeverisë Rama dhe medias së kapur përej tij, ku flitet vetëm për turizëm dhe suksese imagjinare.
Hemorragjia e popullatës dhe shpopullimi për Partinë Demokratrike nuk janë ‘tema të ditës’, por çështje themelore që lidhen me perspektivën afatgjatë të Shqipërisë.
Eksodi biblik i dekadës kur Shqipërinë e ka prirë Rilindja është treguesi kryesor i keq-qeverisjes.
Ka vetëm një rrugë për të shmangur largimin e mëtejshënm të shqiptarëve nga atdheu dhe shpëtura Shqipërinë: largimi i Edi Ramës dhe qeverisë së tij!
Qeveri teknike dhe zgjedhjet e lira janë rruga si bëhet kjo.



