Inter ka siguruar një tjetër talent premtues për të ardhmen, duke arritur marrëveshjen me Dinamo Zagrebin për transferimin e mbrojtësit të ri Leon Jakiroviq. “Zikaltërit”, kanë lëvizur shpejt në orët e fundit, duke mbyllur një operacion që konsiderohet investim strategjik për vitet në vijim.
Sipas mediave italiane, Interi ka lënë pas pistën që çonte te Mlaçiç i Hajduk Splitit dhe ka përshpejtuar gjithçka për Jakiroviq, mbrojtës i lindur në vitin 2008. Marrëveshja me klubin kroat është arritur për një shifër totale pak mbi 4 milionë euro, me 2.5 milionë si bazë fikse, rreth 2 milionë në formë bonusesh dhe një përqindje mbi rishitjen e ardhshme të lojtarit.
Interi ka fituar konkurrencën e disa klubeve të njohura europiane, pasi Jakirović monitorohej edhe nga Barcelona, Napoli, Stuttgart dhe Salzburg.
“Nerazzurrët”, kanë vepruar me vendosmëri, duke rezervuar vizitat mjekësore dhe organizuar transferimin e lojtarit drejt Milanos.
Jakiroviq shihet si një mbrojtës i së ardhmes, me potencial të lartë zhvillimi, ndërsa Interi vazhdon të ndjekë strategjinë e investimit në talente të rinj, duke ndërtuar gradualisht bazën për vitet që vijnë.


